Krisja në marrëdhënie dhe bashkëjetesa e çiftit/ Flor Mumajesi i “dorëzohet” Liberta Spahiut!

Flori Mumajesi është ‘dorëzuar’ këtë fundvit, duke publikuar për herë të parë një foto në natën e ndërrimit të viteve me moderatoren Liberta Spahiu.



“Pak tinza, amo pa kushte. Liberta Spahiu e kuqe”, shkruante Flori në postimin e tij. Kaq mjaftoi për të konfirmuar atë që prej vitesh të gjithë dinin, lidhjen e çiftit. Nga ana tjetër, Liberta postoi një foto pranë bredhit të Vitit të Ri.

“Më falni se pak jemi vonuar! Me foto te bredhi! Pushime të mbara”, shkruan moderatorja.

Duket se u duhej ky fundvit që dyshja të publikonte fotot e tyre, vetëm se këtë herë si çift. Natyrisht që mes tyre nuk ka pasur puthje, por këto postime kanë mjaftuar për të zbuluar gjithçka.

Historia e Liberta me Flor Mumajesin ka mbajtur mbërthyer publikun për të mësuar detaje të reja. Megjithëse të dy protagonistët nuk e kanë pranuar kurrë, miqtë e tyre të afërt ia kanë zbuluar tashmë sekretin.

Dyshja prej vitesh ka pasur një raport të komplikuar, duke e kaluar shpesh këtë lidhje në pauzë për t’u ribashkuar pak kohë më parë. Vetëm pak muaj pasi raportuam se kjo dyshe po jetonte ditë të lumtura krah njëri-tjetrit, një tjetër krisje është paraqitur. Por duket se pas kësaj krisjeje, dyshja e ka gjetur sërish gjuhën e përbashkët.

Madje, prej muajsh ata po e jetojnë këtë histori edhe në bashkëjetesë. Mediat kanë raportuar se Flori dhe Liberta bashkëjetojnë në një nga zonat më elitare të Prishtinës, ku dhe të dy kanë shtëpitë e tyre. Moderatorja e njohur shpesh në deklaratat e saj, ka folur për marrëdhëniet sentimentale, por pa pranuar të japë shumë detaje rreth historisë me kantautorin.
“Me cilin prej ish-ave do mund të kaloje një javë izolimi bashkë?”, ishte pyetja, së cilës Liberta duhej t’i përgjigjej.



“Unë si unë, si Libertë, do doja që… ndonjëherë shokët edhe shoqet më thonë je ndarë keq, edhe vetë unë nuk mendoj që jam ndarë keq me ndonjërin prej tyre, kam qenë shumë korrekte, transparente dhe e drejtpërdrejtë që kam thënë ‘gjeje dikë se unë nuk mundem me këtë gjë’. Edhe nëse më pyesin, unë e kisha kaluar një javë më gjithsecilin prej tyre. Me të gjithë”, tha moderatorja.
Por më pas të ftuarit e saj e vunë në siklet duke këmbëngulur që ajo të thoshte një emër. Liberta tha thjesht: “S’e njihni…”, pa zbuluar se për kë e kishte.

Më tej, ajo shtoi: “Unë do doja që ish-të dashurit e mi t’i kisha shokë. Nuk dua t’i kem armiq. Madje, kam tentuar t’i kem në emision, por nuk më kanë ardhur kurrë”.
Pak kohë më parë, një ndjekës në rrjetin social “Instagram” e ka pyetur moderatoren se kur do të martohet.

“Kismet nga fundi i vitit, ta mbarojmë edhe këtë verë, edhe ca”, iu përgjigj ajo duke qeshur. E njëjta pyetje iu drejtua Liberta Spahiut edhe nga gazetarët, ndërsa ishte e ftuar në një event të zhvilluar në Kosovë.

Moderatorja tregoi se nuk është person që i pëlqen të bëjë plane, të paktën në lidhje me jetën e saj personale. Ndër të tjera, ajo foli gjithashtu për familjen e saj, me të cilët tha se është shumë e lidhur, madje nëse do të martohet, do “ta marrë burrin te shpia”.



“Unë e di që kanë qejf të më shohin, ndoshta jo të martuar, duke nisur që prej njerëzve të ngushtë, nga familja dhe nga miqtë… E kam thënë se kur do të martohem, por nuk i dihet jetës. Ka plot raste kur njerëz planifikojnë një dasmë për vite të tëra dhe ndodh që ose ikën nusja. ose ikën burri. Kështu që le të ndodhë çfarë të ndodhë, sepse pavarësisht lidhjes që ke, një person ndodh që kur bën plane dhe nuk të funksionojnë. Familja nuk më ngacmon sepse jam edhe fëmija i fundit dhe rri me ata. Ata madje kanë dëshirë që të rri me ta, madje iu kam premtuar që nëse do ta marr burrin, do ta marr te shpia”, rrëfeu ajo, e pyetur nga gazetari i “ATV”.

Duket se për aq kohë sa ajo dhe Flori kanë jetuar si çift, Liberta ia ka dalë që ta marrë ‘te shtëpia e saj’. Kjo për faktin se Flori prej vitesh ka blerë një shtëpi fare pranë zonës ku jeton moderatorja.

Por raporti me ulje dhe ngritjet e veta duket se e ka bërë këtë lidhje disi më të komplikuar për t’u konkluduar në një martesë. Ky raport mes dy personazheve u konfirmua vite më parë, kur edhe u mor vesh arsyeja pse Flori kishte vendosur të shpërngulej në Prishtinë.

Më tej, në ditën e saj të veçantë të jetës, ajo mori shumë urime dhe dhurata nga miqtë, kolegët dhe të afërmit, të cilët i mblodhi në një festë përrallore.

Liberta festoi kështu në Prishtinë me rrethin e miqve më të ngushtë, në një mbrëmje ku nuk e kurseu një “kërcim dashurie” me Florin, për të cilin këto vitet e fundit përflitet se është duke jetuar një lidhje dashurie që nisi në fshehtësi, arriti me një unazë nga Flori, u pasua me një ndarje dhe po vuloset me këtë festë ditëlindjeje.

Me pamjen e kuruar deri në detaje, me një fustan të shkurtër në ngjyrë rozë të ëmbël dhe me një model të veçantë flokësh, në albumin e fotove me njerëzit më të dashur, Liberta postoi në “Instagram” dy foto ku shihej shumë pranë Florit.



Për sa i përket festës, i gjithë vendi ishte arreduar me zbukurime festive, ku nuk mungonin lulet, torta dhe qirinjtë, ndërsa të ftuarit kishin të gjithë maska me fytyrën e Libertës. Ditëlindja e moderatores ishte rasti i dytë pas programit festiv të fundvitit, kur Flori u shfaq pranë saj.

Ndërkohë, vëmendja e lidhjes së tij me Libertën u rikthye kur ai publikoi një këngë me Arilena Arën, së cilës i drejtohej me vargjet “Një si ti unë doja, doja ta kem n’jetë…”.

Këngëtari dhe kantautori i njohur pas këngës “Thjesht të du”, për të cilën Liberta Spahiu tha publikisht se po priste këtë këngë që të martohej, rindezi dhe një herë lidhjen e tyre të mbetur pezull. Kujtojmë që gjatë një koncerti para dy vitesh në Prishtinë ku performoi me djemtë e “Threedots”, Flori në mes të koncertit i bëri dedikimin special Libertës.

Ai iu drejtua publikisht me fjalët: “Jam me fat që të kam pranë”, duke e bërë moderatoren të emocionohej në prani të miqve. E duket se gjithnjë për festa apo evente, kjo dyshe premton një hap më tej në marrëdhënien e tyre.



Këtë herë ka qenë festa e vitit të ri që i ka sjellë në një foto, duke e çuar një hap më tej historinë 5-vjeçare. Tashmë mbetet për t’u parë nëse personazhet do të presin një tjetër festë për të shkëmbyer edhe puthjen e famshme.

Author: morevesh