Konflikti mes policëve në Tiranë/ Nis hetimi penal dhe disiplinor ndaj efektivit të FNSH-së dhe policit të Forcës së Posaçme Operacionale

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka reaguar për sherrin e një nate më parë në zonën e ish-Bllokut mes efektivëve të policisë.

Bëhet meunonjësi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë Rigers Iljazi, së bashku me vëllanë Marjus Iljazi janë konfliktuar me shefin e operacionales në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Vladimir Laska të hënën në mbrëmje në kryeqytet.

Sipas AMP-së, Vladimir Laska ka qenë jashtë shërbimit kur është përplasur fizikisht me Marjus Iljazin. Sherri që dyshohet se ka ardhur për motive banale dhe ka ndodhur në rrugën “NIkolla Tupe”.




Më pas në debat është përfshirë dhe punonjësi tjetër i Policisë, Rigers Iljazi, vëllai i Marjusit.

Të tre këta shtetas janë vënë nën hetim, ndërkohë që ndaj dy efektivëve ka nisur hetim disiplinor nga ana e Drejtorisë Profesionale.

Njoftimi i AMP-së:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) Tiranë ka referuar në Prokurori materialet proceduriale në gjendje të lirë në ngarkim të 2 punonjësve të Policisë dhe 1 shtetasi, konkretisht:

– R.I., 33 vjeç, efektiv i FNSH, i dyshuar për ‘Kanosje”; – V.L. 44 vjeç, efektiv i Forcës së Posaçme Operacionale, i dyshuar për ‘Kanosje” e “Dëmtime të tjera me dashje”; – M.I. 33 vjeç, i dyshuar për “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.

Nga veprimet hetimore rezulton se punonjësi i policisë V.L., jashtë shërbimit, është konfliktuar e përplasur fizikisht, për motive të dobëta, së pari me shtetasin M.I., në një dyqan në rrugën “Nikolla Tupe”. Më pas në debat është përfshirë dhe punonjësi tjetër i Policisë, R.I., edhe ai jashtë shërbimit.

Me marrjen e njoftimit kanë mbërritur shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr. 2 Tiranë dhe forcat “Shqiponja”, të cilat kanë shoqëruar palët deri në përfundim të veprimeve të para hetimore.

Ndërkohë Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj dy efektivëve të Policisë.

Materialet janë referuar në Prokurorinë e Tiranës.

Author: morevesh