Një nga arkitektët më të njohur të Kinës, Ma Yansong, ka zbuluar së fundmi projektin e kompanisë së tij për një aeroport të ri në qytetin verilindor të Changchun. Sipas dizajneve të publikuara, aeroporti ngjason me një “pendë lundruese”.
E vendosur në rreth 270.000 metra katrorë, ndërtesa do të lidhet me dy terminalet ekzistuese të aeroportit, i cili nëpërmjet rrugës dhe metros del drejtpërdrejt në qendrën e qytetit Changchun. Kur të përfundojë, pritet të mirëpresë rreth 22 milionë pasagjerë në vit. Megjithatë, ende nuk ka një datë fikse se kur mund të hapet.
Në ndërtesën e terminalit do të mbizotërojë ngjyra e artë dhe ajo e bardhë. Përgjatë harqeve në tavan janë lënë disa hapësira që lejojnë dritën natyrale të depërtojë, por edhe u jep mundësinë pasagjerëve të shikojnë dhe fotografojnë avionët mbi kokat e tyre. E gjithë ndërtesa ka elemente të shumta të natyrës, si p.sh një kopsht të brendshëm me pemë e lule, një tavan prej druri nga ku varen bimë kacavjerrëse, si dhe piktura të shumta tradicionale kineze, ku mbizotëron i ashtuquajturi peizazhi “shanshui” (ose “mal dhe ujë”).
Në Kinë, së fundmi, janë përfunduar shumë projekte të tilla si p.sh Aeroporti Ndërkombëtar Daxing në Pekin, i ngjashëm me një yll deti apo Aeroporti Ndërkombëtar Chengdu, forma e të cilit ngjason me një krijesë mitologjikë kineze. Qeveria vendase synon që të ketë 400 aeroporte në përdorim deri në vitin 2035, nga 241 që funksiononin deri në vitin 2020.