Policia e Shtetit dha informacion zyrtar për operacion in masiv të nisur pasditen e së enjtes në Tiranë në fushën e mashtrimit kompjuterik të shtetasve të huaj, nëpërmjet call centerit.
Kështu, në pranga kanë rënë 35 persona. Mes tyre është edhe izraeliti Rafael Genish, i cili akuzohet se është organizator i kësaj skeme mashtrimi. U proceduan në gjendje të lirë, 20 persona të tjerë.
Policia thotë se kompania pas kësaj skeme mashtrimi quhej RG Capital. Gjatë operacionit, autoritetet gjetën të dhëna personale të shumë shtetasve të huaj, që janë përdorur për t’i tërhequr dhe më pas për t’i mashtruar. Personat e mashtruar nga kjo kompani janë mbi 2 milion dhe ndodhen në shtete të ndrysheme të botës.
Njoftimi
Njësia C për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, nga data 23.12.2021 deri më 24.12.2021 ka realizuar operacionin policor të koduar “Komunikimi”.
Njësia e Hetimit të Krimeve Kibernetike, në bazë të informacioneve të marra dhe duke u koordinuar me partnerët e saj, ka evidentuar dhe ka filluar hetimet së bashku me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në lidhje më një aktivitet kriminal në fushën e mashtrimeve kompjuterike, e cila kishte të bënte më mashtrimin e shtetasve të huaj nëpërmjet rrjetit kompjuterik.
Nga hetimet e zhvilluara rezultonte se prej disa vitesh një subjekt tregtar nën emërtimin “RG Capital“ zhvillonte aktivitetin e tij në fushën e qendrave të thirrjeve telefonike ose siç njihet në vendin tonë “Call center“. Nga bashkëpunimi i ngushtë me partnerët u arrit të evidentoheshin viktima të kësaj veprimtarie kriminale jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Hetimet intensive prej disa muajsh të zhvilluara në vendin tonë bënë të mundur identifikimin e drejtuesve të këtij subjekti, skemën e funksionimit, si dhe fushën e bashkëpunimit të personave që merreshin me këtë aktivitet kriminal.
Nga veprimet hetimore të kryera, si dhe nga ndërhyrja policore në subjektin “RG Capital“, nga ana e Njësisë së Hetimit të Krimeve kibernetike, e mbështetur dhe nga strukturat e tjera të Drejtorisë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë u realizua operacioni policor “KOMUNIKIMI“, ku u kontrolluan disa ambjente në ekzekutim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
U arrestuan në flagrancë 35 shtetas, nga të cilët njëri i huaj, konkretisht shtetasi izraelit Refael Genish, i cili nga hetimet ka rezultuar se është organizatori i kësaj veprimtarie kriminale, si dhe u proceduan në gjendje të lirë 20 shtetas.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:
123 pajisje kompjuterike
60 pajisje të telefonisë së lëvizshme
3 laptop
2 USB
karta të bardha të ngjashme me ato të bankave
një sasi e vogël lënde narkotike e llojit cannabis sattiva.
Gjithashtu deri më tani janë identifikuar të dhënat personale të shumë shtetasve të huaj të cilat janë përdorur për t‘i kontaktuar këta shtetas dhe më pas t‘i tërhiqnin drejt skemës së mashtrimit kompjuterik, duke përfituar shuma të ndryshme vlerash monetare të cilat varionin nga 500 euro e sipër. Personat e kontaktuar nga kjo skemë mashtrimi janë mbi 2 milionë dhe ndodhen në shtete të ndryshme të botës.
Hetimet vazhdojnë dhe për të rejat e këtij hetimi do të kemi komunikime të tjera.