Gazetarja Klodiana Lala deklaroi në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se afera e inceneratorëve ka pasur bekimin e kryeministrit Rama.
Duke vijuar më tej me shpjegimin e saj, Lala tha se çështja duhet të hetohet e plotë dhe një sërë ministrash dhe zyrtarësh publikë duhen pyetur për këtë çështje.
Sipas gazetares Tirana është gropa më e madhe e zezë e inceneratorëve.
“Historia e inceneratorëve nuk është vetëm e disa njerëzve, nuk është as e Lefter Kokës as e Alqi Ballkos, as e Arben Ahmetaj në të nesërmen. Është një histori korruptive që po i shkakton buxhetit të shtetit miliona dhe është bërë me bekimin e kryeministrit. Nuk e shoh Arben Ahmetajn të shkëputur nga një sërë personazhesh të tjerë, si Klodian Zoto, Stela Gugallja dhe Mirel Mërtiri. Janë 3 biznesmenë në kërkim ndërkombëtar për disa akuza që erdhën filluan një investim pa pasur para, morën miliona dhe po i shijojnë në arrati.
Pak orë pasi Rama doli dhe tha që po të isha unë gjyqtar gjërat mund të shkonin më keq BKH me një vendim zbarkoi në dy vila në dy zona preferenciale në Hamallaj dhe në Tiranë që janë në pronësi të Ahmetajt dhe ish-bashkëshortes.
Nuk mendoj se duhet të hetohet vetëm roli i Arben Ahmetaj, roli i shumë ministrave të tjerë do duhet të hetohet. Roli i Engjëll Agaçit është duke u hetuar nga SPAK. Është duke u hetuar se ka futur në Këshillin e Ministrave me një lloj prioriteti projektvendimin për inceneratorin e Elbasanit. Duhet të sqarohet roli i Damian Gjiknurit që ka një kontratë për prodhim energjie me inceneratorin e Elbasanit.
Nuk kemi asnjë lëvizje dhe informacion nga SPAK në lidhje me inceneratorin e Tiranës që është gropa më e madhe e zezë. Janë dhënë miliona euro për t’u ndërtuar inceneratori ndërkohë që vetëm incenerator nuk ka, ka vetëm inkapsulim. Pse Veliaj nuk duhet të hetohet? Ka një shkresë, ka anashkaluar këshillin bashkiak që duhet votonte.
SPAK në nëntor të 2022, prokurori i çështjes Klodian Braho ka arritur të marrë të plotë akt ekspertimin e një kompjuteri të gjetur në zyrat e Klodian Zotos. Disa nga personat të dyshuar si të përshirë në aferën e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit ishin në masën e arrestit dhe rrezikohej djegia e afateve. SPAK ka vendosur të dërgojë për gjykim Bllakon dhe Kokën që akuzohen për korrupsion, pastrim parash.
Fraksioni për Ahmetajn është veçuar, po hetohet për disa akuza, korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash dhe fshehje e pasurisë. Kontrolli në dy vilat është bërë për të parë nga afër gjendjen faktike të ambienteve. Janë sekuestruar dokumentet që kanë të bëjnë me projektimin, zbatimin, janë pyetur arkitektët, inxhinierët, personat që janë marrë me arredimin për të kuptuar nëse këto pasuri rrjedhin nga burime të ligjshme, apo jo. Janë duke u hetuar dhe disa bileta që kanë të bëjnë me udhëtime të Ahmetajt. Për këto dyshime po pritet letërporosi nga autoritetet e huaja. Në të gjithë këtë aferë të madhe korruptive që kemi dy njerëz, dy persona politikë si Koka dhe Bllako, po hetohet dhe Ahmetaj, a janë të vetmit në këtë aferë ? Kjo aferë ka pasur bekimin e kryeministrit. Nuk mund të shihet vetëm nga një kënd, duhet të hetohet e plotë. Kush e zolli Mirel Mërtirin Stela Gugalljan dhe Klodian Zoton?”, tha Lala.