Kjo vajzë po përballet me 10 vite burg për një story në Instagram

Studentja Olesya Krivtsova po mungon në shumë orë leksionesh dhe seminaresh.

Kjo pasi 20-vjeçarja Olesya është në arrest shtëpiak. Ajo ka një byzylyk elektronik në këmbë. Policia mund të monitorojë çdo lëvizje të saj.




Krimi i saj i supozuar? Olesya u arrestua për postime kundër luftës në mediat sociale. Një prej tyre kishte të bënte me shpërthimin e tetorit të 2022 në urën që lidh Rusinë me Krimenë e aneksuar.

“Unë postova një histori në Instagram për urën,” i thotë Olesya BBC, “duke reflektuar se si ukrainasit ishin të kënaqur me atë që kishte ndodhur.”

Ajo kishte shpërndarë edhe postimin e një miku të saj për luftën.

Pastaj filloi drama.

“Po flisja në telefon me time më,” kujton Olesya, “kur dëgjova hapjen e derës së përparme. Shumë policë hynë brenda. Më morën telefonin dhe më bërtitën të shtrihesha në dysheme.”

Olesya u akuzua për justifikimin e terrorizmit dhe diskreditimin e forcave të armatosura ruse.

Tani ajo rrezikon deri në 10 vjet burg.

“Nuk e kisha imagjinuar kurrë që dikush mund të merrte një dënim kaq të gjatë me burgim për postimin e diçkaje në internet,” thotë Olesya. “Kisha parë raporte për vendime të çmendura në Rusi, por nuk i kisha kushtuar shumë vëmendje”.

Studente e Universitetit Federal Verior në Arkhangelsk, Olesya tani është shtuar në listën zyrtare të Rusisë të terroristëve dhe ekstremistëve.

“Kur kuptova se isha futur në të njëjtën listë me sulmuesit e shkollave dhe grupin e Shtetit Islamik, mendova se ishte një çmenduri”, kujton Olesya.

Sipas rregullave të arrestit shtëpiak, asaj i ndalohet të flasë në telefon dhe të lundrojë në internet.

Gjatë procesit gjyqësor që vazhdon, vajza mësoi diçka të hidhur: Nën moton “Denoncimi është detyrë e një patrioti”, disa studentë e kishin spiunuar në policinë ruse duke çuar në arrestimin e saj.

Është bërë një vit që kur Kremlini nisi “operacionin e tij special ushtarak” në Ukrainë – termi që përdor për pushtimin e Rusisë ndaj fqinjit të saj.

Pas sulmit, presidenti Putin i bënte thirrje publikut rus që të ndajë “patriotët e vërtetë nga llumrat dhe tradhtarët”.

Që atëherë, në të gjithë Rusinë ka pasur raporte për denoncime të stilit sovjetik kundër kritikëve të luftës. Ato përfshijnë studentë që informojnë pedagogët dhe punonjës që denoncojnë kolegët.

Author: morevesh