Ke dëgjuar ndonjëherë për mushkëritë prej çeliku? Vajza në foto është Rosanna Benzi që kaloi 29 vite pa lëvizur dhe pa e humbur buzëqeshjen në fytyrën e saj. E shikonte botën përmes një pasqyre dhe ishte gjatë gjithë kohës e futur në pajisjen prej çeliku, në mushkëritë artificiale. Qëndroi ashtu deri ditën që vdiq në moshën 43 vjeçare, në një spital të Italisë.
“Mushkëria prej hekuri” është një aparat respirator artificial, përdorimi kryesor i të cilit është të mbajë gjallë të sëmurët me poliomielit. Mushkëria e parë e çelikut e përdorur gjerësisht lindi në vitin 1928 falë Philip Drinker, një profesor i Harvardit. Drinker ishte duke kryer një eksperiment teksa kuptoi se mund të stimulonte frymëmarrjen përmes ndryshimeve të presionit, duke pompuar ajrin manualisht brenda dhe jashtë kutisë.
Me zhvillimin e vaksinës së poliomelitit të eksperimentuar nga Jonas Salk në 1952-shin, përdorimi i mushkërive të hekurit u ul në mënyrë të ndjeshme, përveç pacientëve të prekur nga poliomeliti para se të shpikej vaksina. Midis njerëzve që kaluan më shumë kohë brenda një mushkërie prej çeliku ishin Martha Mason dhe June Middleton, të cilat jetuan më shumë se 60 vjet brenda një prej këtyre makinerive.
Në gati tridhjetë vitet e kaluara brenda një mushkërie prej çeliku, të cilën ajo e quajti me dashuri ‘ngrohësja ime e ujit’, Rosanna Benzi nuk pushoi kurrë së luftuari për të drejtat e invalidëve.
Një formë e rëndë Poliomeliti e paralizoi totalisht Rosanna-n, në 1962-shin, duke i shkaktuar gjithashtu probleme të rënda të frymëmarrjes. Rosanna, e cila ishte vetëm 13 vjeçe në atë kohë dhe jetonte një jetë normale dhe të qetë në Aleksandri, nuk u vaksinua sepse në atë kohë ende nuk ishte e detyrueshme. Ajo u dërgua në spital ku hyri në “mushkërinë prej çeliku”, për të mos e lënë më kurrë.
Duke filluar nga viti 1976, Rosanna Benzi shkroi dy libra dhe themeloi një revistë, Gli Altri, nga faqet e së cilës ajo nisi disa fushata të rëndësishme ndërgjegjësimi mbi çështjet e njerëzve me vështirësi fizike që vuanin nga përjashtimi shoqëror.
Rosanna mendonte se kishte të drejtë të donte, të kishte jetë aktive seksuale, të kishte fëmijë, ashtu si çdo grua tjetër. U përpoq të luftonte për këto të drejta, edhe pse e pati të pamundur të shkëputej prej pajisjen së çeliktë.
*Artikulli i Roba Da Donne u përshtat në shqip nga Tiranapost.al