Nga Enver Robelli
Kushdo që e ka bërë krimin e publikimit të të dhënave personale të qytetarëve të Shqipërisë, duhet të dënohet me krejt ashpërsinë e ligjit. Kjo është njëra anë. Ana tjetër është po aq e tmerrshme: listat e publikuara kanë shpalosur nivelin e deformimit të rolit të gazetarit në jetën publike.
Gazetarë me të hyra vjetore deri në 500 mijë euro apo më shumë – kjo s’bën vaki as në shtetet superkapitaliste me nga 200 apo 300 milionë banorë e me ekonomi të fuqishme që lëkundin botën. Ekziston, pra, një aleancë kriminale mes pushteteve (jo vetëm këtij aktual) dhe atyre që thonë se janë gazetarë.
Në të vërtetë nuk janë gazetarë, por kuaj troje që futen në gazetari, shkatërrojnë çdo parim profesional dhe bëjnë punën e argatit dhe snajperistit të partisë që i financon.
Të tillët maskën e gazetarit e përdorin në publik, në jetën e vërtetë janë shefa marketingu të partive, politikanëve, firmave, ndërmarrjeve, oligarkëve.
Këtu nder dhe etikë profesionale nuk ka. Dhe ky është problemi me të cilin përballet egërsisht gazetaria në Shqipëri.
Është aq e zhytur në tifozëri, saqë si vëzhgues i jashtëm duhet të lexosh 500 versione të “së vërtetës” për të kuptuar ndoshta gjysmën e së vërtetës.
Kjo nuk ndodh gati në asnjë shtet në hemisferën perëndimore. Kosova është duke shkuar kësaj rruge, ku gazetarët – në fakt: analistët vulgarë që i kanë marrë erë parasë së pistë – nuk mbrojnë interesin publik, por interesat e tyre personale.
Dhe kush ua rrezikon këtë interes, janë të gatshëm t’i shpallin luftë. Sa më herët që publiku e kupton këtë mizori që po ndodh në fushën e gazetarisë, aq më lehtë do ta shoh edhe të vërtetën.
Kush e sheh të vërtetën, e ka më lehtë të marrë vendime për të ardhmen. Jo vetëm në kuti të votimit. Sidomos në Shqipëri.