Pandemia globale ka ndaluar shumë eksperienca udhëtimesh në të gjithë botën. Përfshirë këtu vizitën në qytetet spektakolare të Italisë dhe blerjen e shtëpive apo vilave me çmime shumë të lira. Megjithatë, nisur nga lehtësimi i masave, tani këto vende duhet se po hapen sërish dhe oferta për të blerë shtëpi me 1 euro është rikthyer në treg. Madje marrëveshja duket më e mirë se më parë.
Cinquefrondi, një komunitet në jug të Calabria-s, e quan veten si një “fshat pa Covid” pasi prej kohësh nuk ka persona të infektuar. Ai gjithashtu ndodhet në regjionin më pak të prekur nga virusi vdekjeprurës në Itali. Ky status, që për momentin është shumë i rëndësishëm në botë, mund të jetë pikërisht çfarë i duhet fshatit për të rikthyer vëmendjen tek shtëpitë që shiten vetëm për 1 euro.
Qëllimi i këtyre ofertave, jo vetëm në këtë destinacion, është që të ndalohet shpopullimi. Fenomen ky i nisur nga largimi i të rinjve nga fshati në kërkim të punës dhe studimeve në qytetet e mëdha. Në Cinquefrondi, kryebashkiaku Michele Conia, e sheh këtë nisëm si diçka shumë të rëndësishme. Aq të rëndësishme sa ja ka vënë emrin “Operacioni Bukuria”.
“Të gjesh pronarë të rinj për shtëpitë e braktisura që kemi në fshat është çelsi i “Operacionit Bukuria”, të cilin e kemi nisur për të rinovuar pjesët e humbura të vendit tonë”- thotë Conia për CNN. Më pas shton: “Unë jam rritur në Gjermani, ku prindërit e mi kishin emigruar, por u ktheva që të shpëtoj vendin tim. Shumë njerëz janë larguar që këtu gjatë këtyre dekadave, duke lënë pas shtëpi bosh. Nuk mund të dorëzohemi kështu.”
Cinquefrondi është i rrethuar nga natyra e bukur e Parkut Nacional “Aspromonte”, nga bregdeti i Jonit dhe Tyrrhenain-it. Fshati gjendet në mes të kodrave dhe dy deteve, madje edhe një lum kalon pranë. Plazhet janë vetëm 15 minuta larg me makinë. Megjithatë qendra urbane e fshatit nuk zhvillohet prej kohësh, me shumë shtëpi që kanë mbetur të vjetra dhe jo të sigurta. Të paktën kështu e përshkruan kryebashkiaku panoramën.