Gjykata e Lartë hodhi poshtë të premten një padi gjyqësore të mbështetur nga Presidenti Donald Trump për të përmbysur fitoren e Joe Biden-it në zgjedhje.
Në një deklaratë të shkurtër, gjykata tha se shteti Teksas nuk ka të drejtën ligjore të padisë shtetet Miçigan, Xhorxhia, Pensilvani dhe Uiskonsin sepse “nuk ka demonstruar një interes të perceptueshëm nga pikëpamja gjyqësore për mënyrën në të cilën një shtet tjetër zhvillon zgjedhjet e tij”.
Gjyqtarët konservatorë Samuel Alito dhe Clarence Thomas thanë se ata do ta kishin dëgjuar ankimimin e Teksasit, por nuk do të kishin bërë siç dëshironte Teksasi për lënien mënjanë të 62 votave elektorale për zotin Biden nga këto katër shtete.
Pa oponencë nga të emëruarit e Presidentit Trump
Tre nga anëtarët e Gjykatës së Lartë janë të emëruar nga Presidenti Trump. Para disa muajsh, gjatë përpjekjes për të siguruar konfirmimin e shpejtë të zonjës Amy Coney Barrett, të emëruar prej tij në Gjykatën e Lartë, Presidenti Trump tha se ajo do të ishte e nevojshme për proceset gjyqësore pas zgjedhjeve. Zonja Barrett duket se ka marrë pjesë në të dyja çështjet këtë javë. Por askush nga të emëruarit e Presidentit Trump nuk paraqiti ndonjë mendim të kundërt në asnjërin nga rastet.
Urdhri i gjykatës ishte i dyti këtë javë që hedh poshtë kërkesat e republikanëve që ajo të përfshihet në rezultatin e zgjedhjeve 2020. Gjykatësit refuzuan një apelim nga republikanët e Pensilvanisë të martën.
Kolegji Zgjedhor mblidhet të hënën për të zgjedhur zyrtarisht zotin Biden si presidentin e ardhshëm.
Më shumë se gjysma e republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve, përfshirë dy zyrtarët e tyre kryesorë, mbështetën padinë në një shfaqje të jashtëzakonshme të gatishmërisë së partisë për të përmbysur vullnetin e votuesve.
Shtatëmbëdhjetë prokurorë të përgjithshëm republikanë dhe 126 ligjvënës u bashkuan me Teksasin dhe me Presidentin Trump në thirrjen që Gjykata e Lartë të anulonte miliona vota në katër shtete kyçe të betejës elektorale, bazuar në pretendime të paprovuara për manipulime zgjedhore. Të premten, udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, nga Kaliforna, dhe kreu i pakicës Steve Scalise nga Luiziana nënshkruan një dokument të shkurtër në mbështetje të përpjekjes, duke demonstruar fuqinë e jashtëzakonshme politike të Presidentit Trump edhe ndërsa përhap pretendime të rreme, për të cilat shumë demokratë dhe të tjerë shqetësohen se mund të dëmtojnë rëndë demokracinë.
“Ky proces gjyqësor është një akt dëshpërimi i Partisë Republikane, që shkel parimet e ngulitura në demokracinë tonë amerikane”, shkroi të premten Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi në një mesazh për demokratët.
“E kam të vështirë ta kuptoj”
Disa republikanë shprehën shqetësime në lidhje me çështjen. Shumë të tjerë heshtën.
“Teksasi është një shtet i madh, por nuk e di saktësisht pse ka të drejtë t’u tregojë katër shteteve të tjera se si t’i bëjnë zgjedhjet e tyre. Kështu që unë e kam të vështirë të kuptoj bazën mbi të cilën ngrihet kjo padi gjyqësore”, tha senatori republikan Lamar Alexander për kanalin NBC në një intervistë që do të transmetohet të dielën.
Në padinë gjyqësore të ngritur kundër Miçiganit, Xhorxhias, Pensilvanisë dhe Uiskonsinit përsëriteshin akuza të rreme, të pavërteta dhe të pabazuara në lidhje me votimin në këto katër shtete që votuan për sfiduesin demokrat të Presidentit Trump. Aty kërkohej që Gjykata e Lartë të zhvleftësonte 62 votat e Kolegjit Zgjedhor të këtyre shteteve. Kjo do të ishte e pashembullt në historinë amerikane: mospërfillja e votave të dhjetëra miliona njerëzve, nën pretendimin e pabazë se presidenti në pushtet humbi shansin për një mandat të dytë për shkak të manipulimit të gjerë.
Dy ditë pasi zoti Paxton ngriti padinë, 17 shtete paraqitën një dokument që mbështeste çështjen, ndërsa të enjten gjashtë nga ato shtete kërkuan t’i bashkoheshin vetë padisë në fjalë. Presidenti Trump doli në mbështetje të padisë, duke shkruar në Twitter të enjten se “Gjykata e Lartë ka një shans për të shpëtuar vendin tonë nga abuzimi më i madh i zgjedhjeve në historinë e Shteteve të Bashkuara”. Disa orë më vonë, Presidenti Trump mbajti një takim në Shtëpinë e Bardhë, të planifikuar para se të ngrihej padia, me dymbëdhjetë prokurorë të përgjithshëm, përfshirë zotin Paxton dhe disa të tjerë që e mbështetën përpjekjen.
Sidoqoftë, disa nga prokurorët kryesorë republikanë të shteteve që kërkuan që Gjykata e Lartë të dëgjojë çështjen, pranuan se kjo përpjekje nuk kishte shanse të mëdha dhe po kërkonin të distancoheshin nga pretendimet e pabazuara të Presidentit Trump për manipulime. Wayne Stenehjem i Dakotës së Veriut, ndër 17 prokurorët e përgjithshëm që mbështetën çështjen, tha se Dakota e Veriut nuk po pretendonte për manipulim të votave në katër shtetet në fjalë.
‘Jemi të kujdesshëm’
“Ne jemi të kujdesshëm për këtë,” tha zoti Stenehjem, i cili vuri në dukje se zyra e tij kishte marrë mijëra telefonata dhe emaile nga zgjedhësit ku kërkohej që shteti të mbështeste padinë. “Por ia vlen që Gjykata e Lartë ta vlerësojë dhe ta zgjidhë një herë e mirë”, tha ai.
Çështja ka ndezur tensione tashmë të larta mbi zgjedhjet. Prokurori i Përgjithshëm i Virxhinias Perëndimore Patrick Morrisey tha se personeli i zyrës së tij mori dy kërcënime me vdekje të enjten pasi firmosi dokumentin që mbështeste çështjen.
Zyrtarët në Miçigan, Pensilvani, Xhorxhia dhe Uiskonsin thanë se padia ishte një gjest për konsum publik. Më shumë se 20 prokurorë të tjerë të përgjithshëm nga shtete si Kalifornia dhe Virxhinia gjithashtu paraqitën një dokument të enjten ku kërkonin që gjykata ta refuzonte çështjen. /VOA/