Kërcënim i ri për Ballkanin Perëndimor/ “Na pret një katastrofë”

Viti 2020 ishte një vit i vështirë për Shqipërinë, pasi Korporata Elektroenergjetike Shqiptare përgjysmoi prodhimin si pasojë e thatësirës. Diferencat ishin të mëdha edhe në vitin 2021. Në 6-mujorin e parë pati prodhim të bollshëm, por në gjashtë muajt e dytë ndodhi e kundërta. Luhatjet në prodhimin e energjisë në Shqipëri, një vend që varet gati 100% nga burimet hidrike, pritet të jenë më të mëdha në vitet në vijim.



“Nga publikimet e Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujërave dhe Mjedisit kuptohet qartë që klima e vendit tonë ka pësuar ndryshime dhe ballafaqohet me ndryshim të regjimit të reshjeve, zvogëlim të depozitimeve në formën e dëborës në Alpe si dhe rritje e temperaturave mesatare të larta përgjatë muajve të verës dhe jo vetëm,”-thotë eksperti i mjedisit, Rodion Gjoka.

Gjoka thotë po ashtu se parashikohen rritje të fenomeneve të tjera, si valë të nxehti, thatësira të zgjatura, netë tropikale, zjarre apo bomba shiu (reshje me intensitet të lartë të përqendruara në zona të vogla). Shqipëria nuk është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, ku po hasen gjithmonë e më shpesh fenomene të pazakonta të motit. Memet Divjacev e kujton me shqetësim tornadon e 16 gushtit 2022 në Negotinë dhe Shtip në Maqedoninë e Veriut, ku 4 vorbulla ajri me shpejtësi të madhe shkulën nga vendi çati dhe pemë.

“Deri atëherë nuk kisha parë një dukuri të tillë,” kujton muzikanti, që fillimisht po filmonte me celular ngjarjen e pazakontë. Ai kujton se kur e kuptoi që vorbulla po avanconte me shpejtësi, u detyrua të vrapojë drejt makinës.



“Në mbrëmje e kuptuam se kemi reaguar shpejt. Nëse për momentin nuk do të kishte mbizotëruar frika, kushedi a do të kishim mbetur gjallë,” tha Divjacev.

Ndërkohë, edhe peshkatarët e Malit të Zi po përballen me fenomene jo të zakonshme për ta. Në rrjetat e tyre po bie shpesh “gaforrja blu”, një specie që nuk ishte hasur më parë në ujërat e Adriatikut dhe që shkakton pasoja për ata që e fitojnë jetesën nga peshkimi.

“Gaforrja blu praktikisht ka një ‘sharrë’. Mund të shkatërrojë një metër katror rrjetë nëse e kalon natën në të,” thotë Predrag Boljevic, një banor i Budvës që peshkon prej 22 vitesh.



Paralelisht, shumë lloje peshqish që konsumoheshin në tryezat e qytetarëve janë zhdukur. Sipas ekspertëve, kjo vjen si pasojë e ngrohjes së temperaturës së ujit.

“Për shkak të ndryshimit të regjimit të reshjeve dhe avullimit të lartë, vërehet një rënie drastike e prurjes mesatare vjetore të rrjedhave ujore, rendimentit të ujërave nëntokësore dhe nivelit të ujit të liqenit,”-thotë Mihailo Buriç, hidrolog dhe profesor në Universitetin e Malit të Zi.

Malazezët po përballen gjithmonë e më shpesh edhe me zjarret, që po shtohen për shkak të thatësirës. “Zjarret që zgjasin me muaj dhe që mbulojnë sipërfaqe të mëdha për shkak të tokës gjithnjë e më pak të lagësht janë më të pranishme në Malin e Zi jugor dhe qendror,” bën me dije Shoqata e Ekologëve të Malit të Zi. Ekspertët i shpjegojnë këto fenomene që po manifestohen gjithmonë e më shpesh në vendet e Ballkanit Perëndimor me ndryshimet klimatike. Ekspertët e intervistuar nga BIRN pohojnë se pasojat e ndryshimeve po i rëndojnë qytetarët, ndërsa shprehin shqetësim se reagimi i qeverive për t’i zbutur këto pasoja nuk është i mjaftueshëm./BIRN

Author: morevesh