Pas kualifikimit në çerekfinalen e Champions League, Bayern Munich rikthehet të luajë në Bundesligë teksa të dielën e pret përballja në transfertë ndaj Bayer Leverkusen. Në konferencën për shtyp, trajneri i bavarezëve Julian Nagelsmann vendosi theksin te informacioni që shpeshherë del nga dhomat e zhveshjes të skuadrës. Një shqetësim që tekniku 35-vjeçar e ka të vazhdueshëm ndërsa së fundmi u shpreh se spiunët janë një specie e bezdisshme.
“Spiunët janë një specie e bezdisshme, sa herë shëtis nëpër qytet shoh shumë të tillë. Është e vështirë të lirohesh prej tyre. Nuk e kuptoj se çfarë përfiton personi që transmeton informacione të tilla.
Gjithsesi, për mua e rëndësishme është të shoh veten në pasqyrë dhe të trajtoj mirë lojtarët dhe stafin tim. Shpresoj që këta personat që flasin dhe nxjerrin informacione të mos e shohin dot veten në pasqyrë”, u shpreh Nagelsmann.