Futbolli në të gjithë botën ka treguar solidaritetin e tij me popullin ukrainas, në luftë për të mbrojtur vendin e tyre nga pushtimi i Rusisë.
Ka nga ato vende si Italia, që kanë zgjedhur t’i shtyjnë të gjitha ndeshjet me pesë minuta. Në Turqi, për shembull, të gjithë lojtarët dolën në fushë të veshur me bluza, ku shkruhej “Jo luftës”. Ose më saktë, pothuajse të gjithë lojtarët.
Aykut Demir, kapiteni i Erzurumspor në divizionin e dytë turk, në fakt është bërë “viral” për zgjedhjen e tij që të mos e veshë atë fanellë.
Arsyen e shpjegoi vetë ai më vonë për mediat lokale: “Mijëra njerëz vdesin çdo ditë në Lindjen e Mesme. Edhe unë ndihem keq. Unë ndaj dhimbjen e njerëzve të pafajshëm.
Ata që e injorojnë këtë persekutim tani po bëjnë disa gjëra vetëm sepse po ndodh në Evropë. Nuk më pëlqen ta vesh atë fanellë, sepse e njëjta gjë nuk është bërë për vendet e tjera”.