Gëzim Sinemati ka shigjetuar klubet e Superiores dhe FSHF-në për rezultatet e javës që shkoi. I ftuar në “Procesin Sportiv”, gazetari i njohur deklaroi se kampionatit i mungon shtylla kurrizore dhe mos të presim që të ketë tifozë në stadiume me paraqitje të tilla të skuadrave. Ai ka bërë ironi edhe me Tiranën duke thënë se njerëzit e parashikuan që do të humbte ende pa luajtur.
Ja një pjesë e deklaratës së tij:
“Rezultatet e kësaj jave? Po shoh të qeshurat e Redit (Jupit) dhe të Peços (Arjanit) dhe këto të qeshura flasin vetë se si janë rezultatet e kësaj jave… Në fakt më është kujtuar një anekdotë e treguar nga trajneri i Lushnjës, Ilir Gjyla, pas një ndeshjeje mes Lushnjës dhe Apolonisë. Ai tha: “Nëna ime bleu një peshk dhe kur po e pastronte gjeti një peshk të vogël brenda barkut të tij”. Morali ishte që peshku i madh e ha të voglin… Në Superiore ndodh që peshku i vogël e ha atë të madhin… (plasin të qeshurat në studio).
Dhe ne mburremi me rezultatet, por kjo lojë që po bëhet në Superiore, ne nuk duhet të kërkojmë më as njerëz në stadiume, as besueshmëri. Ne na rroftë klasifikimi, krijojmë atë “garën” e pikëve dhe të shifrave, por kjo nuk sjell gjë. Kam përshtypjen që duhet të gjejmë një formë tjetër për të ndjellë njerëzit në stadiume, sepse kjo tani nuk pi ujë më… është një përrallë me pikë.
A ndodh që tre skuadrat pretendente të munden nga skuadrat që luftojnë për mbijetese? Po, mor po munden, por munden rastësisht, pra është surprizë, por jo që ta dinë njerëzit edhe të thonë “do humbë Tirana këtë javë…”. Nuk pranohet. Ekipi më i fortë i kampionatit lajmërohet që do të humbet. Ç’kuptim ka kjo?!
Ne ishim te “Paso” të premten edhe i thashë Redit (Jupit) që dikush nga grupi atje më tha që do mundet Tirana. Po ku e di ai që do mundet? Do mundet tha… Si mund ta gjejmë ne tani që do mundet Tirana, ndërkohë që më përpara ne nuk dinim se sa gola do t’u shënonte Tirana kundërshtarëve…
Po, humbi këtë javë edhe Barcelona me Almerian që kishte një jetë që nuk humbte, madje barazoi edhe Reali. Por ama ato janë ekipet e mëdha, ndërsa në Shqipëri nuk merret vesh se kush është “bishti” dhe kush është “koka” e këtij kampionati. Ka nevojë për shtyllë kurrizore kampionati shqiptar, jo të bëhet kështu. A është ky niveli real i futbollit? Jo, nuk mendoj që është ky niveli real”, tha ndër të tjera Sinemati.