Bianka Dervishi është shqiptarja që i ka habitur të gjithë në Itali.
Edhe pse e re në moshë, ajo vendosi të bëhej… kamioniste.
Gjithmonë e lidhur ngushtë me automjetet, ajo tregon se ishte 19 vjeç kur hypi për herë të parë në kamion.
“Lashë profesionin tim si parukjere për t’ju përkushtuar më shumë kamionit”, tregon ajo për Euronews. Fillimet për të nuk kanë qenë të lehta, por mbështetja më e madhe ka qenë familja e saj.
“E kisha të vështirë t’ua thoja familjarëve, por pastaj ata ishin të lumtur, sidomos babai”, tha ajo. Sot Biankën e shoqërojmë në kamion, ku na tregon më gjatë për punën e saj si shofere kamioni. Një ditë pune për të fillon herët në mëngjes.
“Zakonisht bëjmë nga 400 kilometra. Pushojmë çdo 4 orë e gjysmë.”, tha ajo. Po si reagojnë njerëzit kur Bianka drejton kamionin?
“Në kompaninë që jam, jam e vetmja vajzë aty, por kur unë zbres më shikojnë më çudi”, tregon vajza. Bianka jeton prej 16 vitesh ne Itali, po a do kthehej ajo në Shqipëri për të vazhduar profesionin e saj si kamioniste.
“Mua Shqipëria më pëlqen shumë, por nuk mendoj se do të rikthehm në Shqipëri”, thotë ajo. Si kamioniste e zonja, Bianka ndan me ne një rregull që çdo shofer nuk duhet ta harrojë.
“Telefonin nuk duhet ta prekim, të mos tejkalojmë oraret e punës”, shprehet ajo. Pasi ndau me ne pak nga eksperienca e saj, e shoqërojmë Biankën për në destinacionin e saj të radhës.