Tre vite më parë kur në “E diela shqiptare” organizohej loja mes çifteve që konsistonte në gjetjen e fjalëve nga njëri partner, ndërkohë që tjetri mundohet ta shqiptojë saktë, morën pjesë edhe Olsi dhe Ariola.
Ata ishin një nga çiftet që sollën më shumë të qeshura gjatë lojës dhe me siguri fotot e mëposhtme do t’jua kujtojë.
Por çfarë ka ndodhur me ta pas 3 vitesh? Olsi dhe Ariola janë martuar vitin e kaluar dhe janë prindër të një vajze.
Ata ishin pasditen e sotme të ftuar tek “Rudina” ku treguan historinë e tyre të dashurisë dhe u transmetuan disa pjesë nga klipi i martesës shumë i veçantë i bërë në dëborë.
“Unë e kam parë për herë të parë Ariolën në “Facebook”. Një shoqja jonë e përbashkët e cila merret me modeling më thotë: Kam një shoqe në master që është fiks tipi jot. Do që ta prezantoj? Pse jo, i thash unë.
Nuk po bëheshim mbarë për t’u takuar dhe i thash që t’më tregonte adresën e saj të “Facebook”. Ajo më nisi fotografinë dhe më pëlqeu shumë kur e pashë. Pas disa ditësh u bëmë shokë dhe kështu nisi”, tregoi Olsi.
“Unë e njihja Olsi Beçin si fotograf. Ai më bëri ftesë në “Facebook”. Mikesha ime më kishte folur për të, por unë bëra pak rezistencë, nuk e pranova që në fillim. Në atë kohë qëndronim 24 orë në linjë dhe flisnim shumë me njëri-tjetrin. Kështu ndodhi derisa ne u takuam dhe u dashuruam.
Periudha e flirtimit nuk zgjati shumë, rreth 2 muaj kaluan dhe u bëmë zyrtarisht të dashur. Ne ishim të dy fushave të ndryshme dhe njërëzit thonin se unë isha lidhur me një kameraman”, u shpreh Ariola.