Artan Hoxha e konsideron thirrjen e DEA-s ndaj qytetarëve shqiptarë që të informojnë për drogën dhe pastrimin e parave, si “goditjen më të fortë” ndaj autoriteteve shqiptare.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Hoxha tha se besimi te autoritetet shqiptare është zero, ndërkohë që deklaroi se grupet kriminale janë të shqetësuar, pasi rivalët do të çojnë informacione për t’i goditur.
“Që në momentin që ka dalë ky njoftim, njerëzit e parë që më kanë shkruar kanë qenë, ose këta që ishin tronditur shumë, që thoshin si është e mundur, sim und ta bëjë Shqipëria këtë gjë? Sepse mendojnë se rivali do të cojë informacion dhe do të përdoret në luftën e brendshme.
Së pari, qeveria shqiptare nuk duhet ta lejonte këtë gjë.
Një agjensi që u bën thirrje gjithë miletit dhe anashkalon burimet zyrtare, do të thotë që besimi te autoritetet është zero.
Problemi do të jetë, që deri në momentin që të goditet i pari, do të fillojnë… DEA e hapi zyrën në Shqipëri. DEA nuk ndjek faktorë lokale, por rajonalë dhe global.
Kjo që kanë bërë është goditja më e fortë që mund ti jepej autoriteteve shqiptare. Po ju thotë qytetarëve, nuk kemi besim te këta.
DEA e ka bërë këtë në Kolumbi, Ekuador, Meksikë… Por, në Meksikë kartelet të fshinin nga faqja e dheut.
Deri tani këtë punën e DEA e bënte qytetari dixhital”, tha Hoxha.