Gazetari Artan Hoxha thotë se vjedhjet në banesat e zyrtarëve të lartë, nisur nga rasti i fundit ku pastruesja vodhi mijëra euro nga zyrtarja e qeverisë Alda Klosi, nuk janë të rralla.
Hoxha tha se gjatë periudhës së koalicionit Rama-Meta, një grup grabitësish kanë targetuar dhe vjedhur me qindra-mijëra euro nga shtëpitë e ministrave dhe ish-ministrave.
Sipas Hoxhës, ky grup kishte grabitur në disa raste 500 mijë euro, në një banesë tjetër 800 mijë euro dhe deri te 1.2 milionë euro në një banesë tjetër. Gazetari tha se në atë kohë lindi dyshimi se dikush i përgjonte këta zyrtarë pasi grabitjet ndodhnin menjëherë pasi ata merrnin rryshfetet nga tenderat e dhënë.
Në Neës24, Hoxha u shpreh se paratë e pista në Shqipëri sot janë me shumicë, dhe pjesa më e madhe e tyre janë të përfituara nga korrupsioni.
Pjesë nga deklarata e gazetarit Hoxha:
Çështja duhet t’i kalojë SPAK-u, Rozeta Dobi duhet të bashkëpunojë me drejtësinë, ajo ka punuar në një seri banesash të personazheve. Ne po merremi sot me çfarë ka vjedhur pastruesja. Që sot shkon në gjysmë milionë euro. Po merremi me gjënë më të vogël në këtë histori. Ajo ka parë, ka dëgjuar, mund të ketë informacione të cilat mund të shërbejnë për një hetim që do t’i jepte një spunto të mirë SPAK-ut për të hetuar korrupsionin.
Një grup shumë enigmatik në atë kohë arriti që të grabiste banesat e disa ministrave në detyrë, të qeverisë Rama-Meta, të ish ministrave të qeverisë së mëparshme të PD-së. Dhe shumat e grabitura mateshin diku nga 500 mijë euro, në 800 mijë euro në një banesë tjetër, deri në 1.2 milionë euro në një banesë tjetër. Këto raste, edhe policia kur e merrte vesh, ata shkonin në banesat e ministrave dhe ish-ministrave dhe ata vetë u thoshin nuk është e vërtetë. Në asnjë rast nuk u pranua që kishin ndodhur. U krijua ideja sikur dikush i kishte mbajtur në përgjim ministrat, dhe në momentin që kishin marrë tenderin, rryshfetin, dikush i sulmonte. Në rastin që përmenda, u bë i pamundur hetimi sepse askush nga ata nuk pranoi të denonconte.