Kur erdhëm këtu ishte shtëpia plot me njerëz, të gjithë ishin me të zeza dhe po qanin. Aty e kuptova se…”
Këto fjalë dalin nga goja e një vajze 10 vjeçare shqiptare. Katerina quhet. Jeton në skaj të qytetit të Ballshit, larg të tjerëve dhe së bashku me motrën e saj 14 vjeçe, Kristinën, vëllain 5 vjeçar Orgiton dhe së fundmi nënën, Laurëtën.
Jeta e këtyre fëmijëve është ndryshe nga ajo e shumicës së shqiptarëve. Këta fëmijë janë jetimë prej mëse dy vitesh, pasi babai i tyre 37 vjeçar ka vdekur për shkak të një sëmundje. Pavarësisht sëmundjes që i mori te atin, vetë fëmijët janë sëmurë. Veçanërisht Katerina dhe Orgito. Të dy vuajnë nga anemia.
Ajo që i mban të gjitha mbi shpinë është Laureta. Ajo është e re në moshë, por veshja e zezë për të nderuar të shoqin dhe vuajtjet e përditshme ia kanë vjedhur rininë. Vetë Laureta tregon historinë e saj dhe të fëmijëve për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët”.
Laureta: Burri ndërroi jetë para tre vitesh e gjysëm. Kemi jetuar në një shtëpi me qira, por nuk e përballonim dot jetesën. Im shoq punonte në një lavazh makinash. Kam patur mjaft probleme. Vajzën e vogël e kam anemike, i binte deri në 10 herë në ditë të fikët. Djali lindi po ashtu me anemi të theksuar, pastaj dyshohej për talasemi… me vështirësi kemi jetuar, me borxhe. Momenti më i vështirë për mua ka qenë kur djali ishte i sëmurë, dhe së bashku dhe im shoq. Djalin e dërguam në Tiranë dhe po atë ditë u sëmur burri. Nuk kishim mundësi që të përballonim faturat. Im shoq duhej të bënte një operacion, por ai mendonte për djalin, jo për veten. Nuk e përballoi dot… (qan) Nuk arriti dot që të futej në operacion… nuk arriti dot të thërriste fëmijët.
Përjetimin të rëndë kanë këta fëmijë, por më së shumti vdekja e të atit ka lënë shenjë tek 10 vjeçarja. Çdo vit kur ajo ka ditëlindjen, qan, por jo nga gëzimi.
Katerina: Atë ditë ishte ditëlindja ime, pasi të ktheheshin nga spitali më kishin thënë se do festonim por ne nuk e festuam. Kur erdhëm këtu ishte shtëpia plotë me njerëz, të gjithë ishin me të zeza aty e kuptova. Mamin e pyeta pse po qan. Ajo më tregoi Më tha se babi nuk do të kthehej.
Kristina është më e madhe në moshë se fëmijët e tjerë dhe e kupton më qartësisht humbjen. Qan kur rrëfen momentin që e kuptoi se të atin nuk do ta shihte më kurrë.
Kristina: Kam gjetur nënën tek dera. Kur jam afruar, kam kuptuar që im atë kishte vdekur. Kam qarë shumë. Jam ndjerë shumë e vetmuar. Nuk haja e as nuk pija asgjë. Qëndroj e fortë se nuk e shikoj dot motrën edhe mamin të qajnë e të lëndohen. Mundohem ta harroj por prapë kur shikoj fotot më kujtohet, sëmurëm, qëndroj me ilaçe
Emisioni dhe shqiptarët vendosin ta ndihmojnë familjen e këtyre jetimëve. Elvis Naçi udhëton drejt Ballshit për të parë nga afër kushtet ku jetojnë jetimët. Me të hyrë në banesë, shikon se fjala është për një magazinë të vjetër, e cila e ka humbur funksionin që nga koha e komunizmit. Shi bie dhe uji hyn brenda. Një dhomë tashmë është e mbytur në ujë. Pikërisht dhoma ku Laureta flinte me të shoqin, një dhomë që e lejon shiun nga të katra anët.
Përveçse faktit se nuk ka ushqim mjaftueshëm për fëmijët e saj, Laureta tregon se jeton në një magazinë ku vite më parë bëheshin remond pjesë të trenit. Kur vjen dimri, jeta e këtyre fëmijëve bëhet ende më e zezë, një tmerr që e tregojnë vetë pamjet.
Laureta: Kemi 8 vjet që banojmë këtu. Banojmë vetëm këtu, lagjen e kemi poshtë. Kam frikë se jetojmë vetëm, frika është e para, sidomos kur na ka marrë era llamarinën, ranë poshtë gurët. Në dimër këtu del përroi, na ka përmbytur edhe përroi, ne ishim në gjumë. Kishte vajtur uji tek koka e divanit, kur u zgjova ne po pluskonim me mobiljet mbi ujë, nuk dinim çfarë të bënim, gjitoni na ndihmoi të ngjiteshim tek ai, çfarë bie jashtë bie brenda. Kur bie shi ne nxjerrim kovat, në dimër fëmijët kanë ftohtë.
Elvis Naçi: Laureta shumë keq qenka këtu kur bie shi.
Laureta: Djalin e vogël e kam rritur pa tavan.
Naçi: Tani ne kemi ardhur për të hapur një derë të bukur, për t’i lënë pas këto vështirësi.
Laureta: Vjet në dimër ishim të gjithë të sëmurë, unë vajzat dhe djali.
Naçi: Ditën qenka frikë të rrish, natën kushedi sa të vështirë e keni. Mos harroni që Zoti nuk i harron jetimët. Unë shpresoj që me familjen tuaj do të bëhet diçka e bukur dhe e mrekullueshme. Kur të gëzoni ju, të gjithë do të gëzojnë.
Elvis Naçi merr mënjanë Kristinën 10 vjeçare dhe i premton se nuk do të jetojë më në këtë magazinë dhe se ditë më të mira do të vijnë për të dhe gjithë familjen e saj.
Naçi: Këto fjalë që po të them do mi kujtosh në të ardhmen. Ne do të ikim diku tani, shkoj thuaji mamit sepse do të lëvizim.
E gjithë familja së bashku me Nain dhe bashkëshorten e tij largohen drejt qytetit. Atje i pret një surprizë e madhe. Shiu ka përfunduar tashmë dhe e gjithë familja ndodhet përballë një dere. Fatma i jep çelësat e kësaj dere Lauretës. E prekur ajo hap derën dhe hyn brenda shtëpisë së saj të re.
Naçi: Laureta gjëja e parë e mirë që bëmë ishte që të largoheshim nga ai ferri atje. Kemi parë shumë raste, por që të tre fëmijët e tu të qëndronin në atë ferr, nuk e di. Tani Fatma do të japë një diçka dhe shpresojmë që ferri të kthehet në një ëndërr të bukur.
Laureta: Të falënderoj me gjithë zemër, nuk ka emocion më të madh se kjo. I falënderoj të gjithë ata shqiptarë që kanë kontribuuar për mua dhe fëmijët e mi… nuk di çfarë të them, jam shumë e emocionuar. Kurrë nuk e kisha menduar se do të arrinte kjo ditë.
Fatma: Ti e meriton Laureta sepse ke bërë sakrifica shumë të mëdha. Me Kristinën po flisja dhe më thoshte që ka shumë turp… e kuptoj shumë mirë, kam djalin në moshën e Kristinës dhe ajo është në një moshë kur poston foto në rrjetet sociale e kanë veshje, kurse Kristinë iu desh të dilte para kameras dhe të tregonte vështirësinë që ka jetuar… por sot Kristina ti ke mundësi, të kesh ëndrra, ti je një vajzë e zgjuar.