Ish-yll i Irlandës së Veriut dhe Manchester United, Phil Mulryne la futbollin për t’u bërë prift katolik, pasi u mërzit me përfitimet që vinin nga sporti i topkëmbës.
Nga Belfasti, Phil Mulryne, 44 vjeç, ishte dikur një nga yjet e rinj që doli nga akademia e United, por ai i ndërroi këpucët me Biblën kur u zhgënjye me stilin e jetës së një futbollisti profesionist.
Mulryne fitonte 600,000 £ në vit në kulmin e karrierës së tij, por në vend që ta bënin të dashur për sportin, paratë dhe luksi e bënë ish-reprezentuesin e Irlandës së Veriut të ndihej bosh dhe zbrazëtia që e përfshiu atë e çoi në shtëpinë e Zotit.
Mulryne e filloi karrierën e tij në “Old Trafford”, ku bëri debutimin e tij në tetor 1997. Por ai nuk arriti të depërtonte në ekipin e parë të United dhe bëri vetëm një paraqitje në Premier League përpara se të transferohej në Norwich në 1999.
Ai u shfaq më mirë në Carrow Road dhe bëri 172 paraqitje dhe shënoi 20 gola ndërmjet viteve 1995 dhe 2005. Maestro i mesfushës gjithashtu pati periudha me Cardiff, Leyton Orient dhe Kings Lynn përpara se të tërhiqej në 2009 në moshën 31-vjeçare.
Duke folur për tranzicionin e tij, Mulryne u shpreh: “Është e vështirë të përcaktosh një moment të veçantë. Unë do të thoja se filloi në vitin tim të fundit në Norwich, jo në mënyrë eksplicite dhe nuk po mendoja për të në atë kohë, por fillova të jem i pakënaqur me të gjithë stilin e jetës. Ne kemi një jetë të mrekullueshme si futbollist dhe unë isha shumë i privilegjuar, por me të gjitha gjërat përreth kuptova që përfundimisht kishte një lloj zbrazëtie me të. Isha shumë i tronditur – pse nuk jam i lumtur kur kam gjithçka që duan të rinjtë?”, tha fillimisht Mulryne.
Bibla – “Më nisi në një udhëtim drejt eksplorimit të besimit tim, besimit që kisha si i ri. Mora një vendim që të kthehesha në shtëpi për një vit dhe në të vërtetë gjatë atij viti gjithçka u përmbys. Unë dola vullnetare në një strehë për të pastrehët për një kohë. Fillova të kthehesha në meshë dhe fillova të falem përsëri rregullisht. Sapo gjeta një ndjenjë të vërtetë përmbushjeje me të. Futbolli ishte ngritje dhe ulje e madhe dhe këtu ishte diçka që më jepte një ndjenjë të qëndrueshme kënaqësie”.
Sot, ish-mesfushori i Norwich-it mban titullin i nderuari At Philip Mulryne. Ai aktualisht mbikëqyr një kongregacion në kishën e Shën Marisë Priory në Cork.