Ish-deputeti Lefter Maliqi, thotë se jeta e Saimir Tahirit në burgun 313 në Tiranë është në rrezik. Tahiri u dënua me 3 vite e 4 muaj burgim, për shpërdorim detyre, nga Gjykata e Posaçme e Apelit dhe do ta vuajë dënimin në burgun e kryeqytetit.
“Jeta e Tahirit në rrezik. Kush urdhëroi dërgimin e tij tek 313, te burgu me rrezikshmëri të lartë? Kush do t’i mbyllë gojën Tahirit, sepse është i vetmi që di për urdhëruesin e kanabizimit të vendit dhe kreun e mafies Rama. Tahirit i rrezikohet jeta, ose është në kërcënim e presin për të mbyllur gojën”, shkruan Maliqi në një postim në Facebook.
Dënimin e tij, vetë Saimir Tahiri e quajti një padrejtësi të madhe. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tahiri tha se nuk e ka shkelur asnjë ditë ligjin. “Ju dua shumë të gjithëve! Me vjen keq që shkoi kështu. Jam moralisht i qetë, nuk kam shkelur kurrë ligjin, kam dashuruar çdo ditë të punës sime, jam i lumtur që kam bërë detyrën siç më mirë munda. Është thjeshtë padrejtësi!”, shkruan Tahiri.