INTERVISTA/ Frrok Çupi: Meta është përfshirë në trafiqe droge e njerëzish, Berisha përdori PD-në si “kokë dashi” për të goditur Amerikën

Analisti Frrok Çupi ka hedhur akuza të fortë në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe presidentit Ilir Meta. Në korridoret e politikës ka zëra se amerikanët pritet t’i rezervojnë të njëjtin fat si Berisha edhe Metës, ku më e pakta është shpallja e tij “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Por për të mësuar më shumë detaje rreth këtyre dy personazheve, gazeta bisedoi me analistin e njohur, Frrok Çupi. Ky i fundit gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zbuloi se presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta është i përfshirë në trafiqe të forta droge dhe njerëzish, jo vetëm në Europë, por edhe jashtë kontinentit tonë. Sipas tij, binomi Meta-Berisha janë dy politikanë që i kanë shkaktuar shumë vuajtje dhe krime Shqipërisë.

-Zoti Çupi, situata politike duket sikur është nxehur, ku në skenë ka dalë edhe presidenti Ilir Meta, i cili ka premtuar se do të zbresë në sheshin e politikës. Sipas jush cilat janë arsyet që Meta po i rikthehet politikës?

Ilir Meta po bën ushtrime force për orët pas presidencës. Në fakt ka kohë që e ka nisur këtë trajtim force, të paktën që nga pranvera e vitit 2020, kur nga Pogradeci deklaroi se do të ishte një viktimë e amerikanëve si presidenti Allende. Por kjo nuk ndodhi atëherë. Meta i ka marrë hov disa herë goditjes mbi Amerikën. Dalja nga Presidenca i jep lirësinë që ta kryejë këtë akt, sipas mendjes së tij. Sapo të dalë nga Presidenca ai do të hyjë në politikë; mendon se LSI do të jetë ushtria e tij antiamerikane. Është e njëjta skemë ku hyri Berisha dhe ku po lë kokën. Berisha mendoi të përdorë PD në si “kokë dashi” për të goditur Amerikën, ndërsa Meta mendon LSI-në si armë mesjetare.

 

 

-Rikthimin e presidentit Ilir Meta në politikë dhe madje në krye të LSI, e paralajmëroi edhe bashkëshortja e tij njëherësh, “Zonja e Parë”, Monika Kryemadhi. Kështu që më lejoni t’iu pyes se gjatë kësaj kohe që Meta ka qenë në Presidencë, a ka pasur ai ndikim në LSI?

Lëvizja Socialiste për Integrim është bashkimi dhe njëkohësisht pika e ndarjes e çiftit që përmendët. Ilir Meta tani nuk ka ndikim as mbi Monën, e jo më mbi LSI. Kështu edhe Mona, nuk ka ndikim as mbi Ilirin e jo më mbi Lëvizjen Socialiste për Integrim. LSI e ka marrë lumi, por këta mendojnë se është një lloj sfurku që njëri e ka kapur nga maja e tjetri nga fundi. Me sa duket Lëvizja Socialiste për Integrim kësaj here do ta përdorë edhe Berisha si sigël për kandidatët e tij në zgjedhjet e 6 marsit. Edhe Partinë Demokratike herë e merr njëri e herë tjetri për të kaluar lumin. Unë kam në dorë një libër mbi jetën e PD, që e kam titulluar “Trapi i vjetër”.

-Ka zëra se Ilir Meta pas shkarkimit do të shpallet person “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ju i besoni këto?

Besoj se Ilir Meta është në të njëjtin komplot antiamerikan bashkë me Saliun. Ngjarjet e fundit në Ukrainë i kanë bërë që të shpresojnë se po u vjen dita. Unë besoj se Meta është interceptuar në trafiqe të forta droge e njerëzish, edhe jashtë kontinentit tonë, ku dëmtohen edhe interesat amerikane. Besoj se lojërat që luan Mona me Ilirin dhe Saliun, sikur “u ndanë sot e u bashkuam nesër”, bëhen vetëm për të ruajtur një pjesë të pasurisë së vjedhur nga publiku.

-Dakord, por javën që shkoi teksa ishte i ftuar në një studio televizive, presidenti Ilir Meta i sfidoi hapur amerikanët, ndërsa u shpreh se nuk ka frikë dhe së është i pastër. Ju besoni se SHBA ka prova kundër Metës? Nëse po, kush janë ato…

E dini ju pse i kërkojnë provat nga Amerika si Sali Berisha edhe Ilir Meta? Nga Amerika i duan… Sikur nuk e dinë se provat janë në plagët e rënda që ua kanë shkaktuar shqiptarëve dhe këtij vendi cep më cep e familje për familje.. Por i duan provat nga Amerika. E mendoni pse? Sepse u thotë mendja se Amerika do t’u dorëzojë provat në dorë këtyre të dyve, çfarë nuk e ka bërë dhe nuk e bën kurrë… Atëherë këta do të ulërinin nga gëzimi. Do të ulërinin dhe do të merrnin në dorë letrën e provave… dhe menjëherë do t’ i drejtoheshin Lindjes, ndoshta në Moskë atje do të paraqiteshin si viktima të Amerikës. Ja kjo është.

-Nga ana tjetër shohim një koordinim mes presidentit Ilir Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Çfarë i lidh bashkë Metën dhe Berishën?

Siç e vini re, në përgjigjet e mia po flas gjithnjë për të dy të pa ndarë. Secili prej tyre ëndërron që të ndahet nga tjetri, por është e pamundur tanimë; nuk e kanë luksin. Ata kanë një jetë të tërë së bashku, të paktën që nga viti 1996. Fakte? A mund të kujtoni vetëm një tragjedi, luftën civile të vitit 1997. Zjarrin e vuri Saliu, edhe sulmet ushtarake i firmosi Saliu. Por Iliri gjatë gjithë asaj kohe nuk u duk gjëkundi, edhe pse ishte koordinator mes Berishës dhe PS-së për të zëvendësuar Fatos Nanon që e kishin burgosur. Vetëm në atë epokë u bë ‘i vdekur’. Iliri edhe në këtë rast ishte mbushës topi i luftës së Saliut; veçse i kamufluar si socialist.

-Presidenti Ilir Meta ndërkohë ka dekretuar datën 6 mars, ditë kur duhet të mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale për 6 bashki. A ishte kjo lëvizje një strategji për të dobësuar kryedemokratin Lulizim Basha, në mënyrë që të humbë zgjedhjet PD-ja?

Kështu është thënë në disa komente dhe unë e besoj. Por unë mendoj edhe më tej: Mendoj se akti i Ilirit është një sinjal për Saliun. Saliu nuk i donte këto zgjedhje në këtë moment, sepse del përsëri zbuluar si në 8 janar. Mirëpo Iliri ia bëri pas krahësh. Ju e dini, se jeta e tyre është kurthe ndaj njëri tjetrit; sa herë duket se njëri po e harron tjetrin, i punon këso kurthesh. Si në mafie, fiks. E keni lajmin për vrasjen e fundit në Bruksel të njeriut të Çapjes dhe Lul Berishës?! Ja kështu… Iliri po i bën presion Saliut për ndonjë vrasje a për ndonjë krim të pakallëzuar. Saliu do të shkojë në zgjedhje e do të dalë me gisht në gojë e qesharak përsëri.

-Së fundmi kryeministri Edi Rama ka prezantuar një pyetësor, ku kërkon mendimin e qytetarëve për shumë çështje. Si ju duket kjo iniciativë?

Po, padyshim që do ta plotësoj. Jam qytetar i Republikës së Shqipërisë. Dua të flas me shtetin, dua ta pyes e të më përgjigjet. Dua që shtetit t’i kërkoj drejtësi. Kjo është një mënyrë… Kush arratiset nga kjo marrëdhënie bën pjesë në njërën nga këto dy kategori: Ose është nga ata që ka shtetin e vet të formuar me pasurinë e vjedhur, ose kategoria e dytë- shërbëtorët e verbër të atyre që thonë se kanë shtetin e tyre paralel.

-Keni një koment si po shkon qeverisja e vendit, pra e kam fjalën për mandatin e tretë?

Kam vizion më shumë se komente. Çfarë shikoj? Janë eliminuar, të paktën, dy tmerre: Krimi shtetëror dhe shëmtimi shtetëror; të dyja këto që na kishin zënë rrugën qëkur dilnim nga shtëpia e deri nesër kur dilnim prapë. Veç kësaj: Kemi një Shqipëri më të bukur e me dinjitet, duke u nisur nga Tirana në Tamarë të Kelmendit… Me administratorët e shtetit flitet pa gjuhën e armëve. Shqipëria është futur në hartën e vendeve normale, madje në hartën ku përfshihen shtetet moderne dhe aleancat qytetëruese të planetit. Ju thoni mandat i tretë? Nuk shikoj se pas këtij ‘mali’ të duket ndonjë tren politik që mund ta arrijë mazhorancën aktuale as në fundin e mandatit të tretë.

-Le të dalim pak nga politika. Këtë të premte u shënuan plot 11 vite nga vrasjet e 21 Janarit. Si e kujtoni ju atë ditë? Ndërkohë edhe Lulzim Basha e ka cekur disa herë në diskursin e tij politik çështjen e “21 Janarit”. A di Basha më shumë detaje se sa i takon “21 janarit” dhe rolit të Sali Berishës?

Si mund të kujtohet një ditë vrasjesh mu para syve, vrasje nga qeveria, vrasje në bulevardin që e ndërtoi Musolini, por ku nuk vrau njerëz as Musolini, as Hitleri, as Zogu, as Hoxha. Vrau vetëm Sali Berisha në këtë bulevard që pati mahnitur edhe shkrimtarin Ilia Erenburg menjëherë pas Luftës së Dytë. A mund ta mendoni pak, ju lutem; po ulërijnë varrezat kur disa njerëz thonë se ‘Sali Berisha është prapë për kryetar i PD e prapë për kryeministër’. Por unë mendoj se vrasjet e 21 Janarit janë nyja lidhëse mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Lulzim Basha duhet të dëshmojë se si dhe kush i vrau këta katër protestues paqësorë. Nisi të dëshmojë e përsëri u tërhoq. Ai ka dijeni, por besoj se ka edhe dorë në vrasje. Këtu është prova: Që të dëshmojë të vërtetën edhe kur ka dorë vetë. Por me sa duket kjo nuk do të ndodhë, të dy këta do ta fundosin 21 janarin poshtë varreve të martirëve. Unë mendoj se këta janë prapë bashkë, Basha dhe Berisha bashkë. Ata bëjnë sikur zihen, por rrahin me hu e me bomba militantët e PD, i kthejnë në mish për top; asgjë më shumë. Deri më sot ata nuk janë divorcuar; nesër do t’i kesh bashkë prapë. Nesër, sapo të largohet hija e vrasjes së përbashkët në 21 prill. Nëse ndodh ndryshe, kjo do të provohet me aktet e zjarrit: Njëri do ta eliminojë tjetrin, por besoj se Berisha do të jetë njeriu që do të luajë gishtin.

Author: morevesh