Ilir Meta ka komentuar zgjedhjet e 25 prillit një vit më parë dhe rolin e ti për të cilin akuzohet se ka zhvilluar fushatë zgjedhore.
Në një intervistë të zhvilluar për televizionin Apollon, ai deklaroi se të gjitha tensionet përpara zgjedhjeve i ka provokuar kryeministri Edi Rama.
“Presidenti ka përgjegjësi për ruajtjen e rendit kushtetues. Përpjekja për të dhunuar zgjedhjet dhe për të përmbysur, zgjedhjet është praktikisht një cenim i rendit kushtetues, që bazohet te vota e lirë dhe te zgjedhjet e lira. Kush e prishi marrëveshjen e 5 qershorit? Presidenti? Jo! E prishi Edi Rama! Është fakt apo nuk është fakt që ai është përgjegjës i të gjithë tensioneve? Ai është burimi i tensionit. Prishja e njëanshme e marrëveshjes deri në zgjedhje, përveç të gjitha akteve të tjera. Kush e prishi Teatrin Kombëtar në mënyrën më antikushtetuese dhe më antinjerëzore? Kur Presidenti, për të shmangur konfliktin e artistëve me Policinë, shkoi vetë dhe e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Padyshim, që e vetmja rrugë që duhej të pritej, ishte gjykimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Por interesi tjetër, jo vetëm për të treguar që po bëja fuqi ndaj artistëve, dhe një fuqi në mes të natës, në kulmin e pandemisë, por edhe për të përgatitur kulmin e tensionimit të situatës para zgjedhjeve, bri atë ngjarje që do të ngelet një njollë e zezë për atë qeveri si dhe për të gjithë ata që bashkëpunuan në historinë e Shqipërisë” – tha Meta.
Meta sjellë në vëmendje dhe futjen e tij brenda zyrave të FRD-së apo edhe vrasjen në Elbasan përpara zgjedhjeve.
“Në mbrojtje të votës, për t’iu kundërvënë frikësimit të qytetarëve shqiptarë nga ana e Qeverisë dhe e bandave të organizuara të partisë në pushtet. Thonë pse shkoi Presidenti te selia e një partie politike (FRD) në Tiranë?! Rendi ynë kushtetues bazohet në pluralizmin politik. Të sulmosh e të dhunosh në mënyrë të paligjshme selinë e një partie politike në mes të Tiranës, dhe ky konflikt mediatizohet kudo dhe Presidenti të jetë 100 metra larg selisë dhe të mos shkojë të shikojë në vendngjarje se çfarë po ndodh, kur sapo ka nisur fushata zgjedhore si dhe kur kjo gjë bëhet qëllimisht se vetëm kjo parti politike u regjistrua në koalicionin me opozitën, ky është faji i Presidentit…?
Dhunohen zgjedhjet! Pse shkoi Presidenti në Kavajë? Ata duhet të shqetësoheshin përse punonjësit e Bashkisë hynë të armatosur në zyrën e partisë më të madhë opozitare, përdorën armë, plagosën njerëz, derdhën gjak atje, dhe për 48 orë nuk kapen, derisa të bëjnë një marrëveshje me Policinë. Ata shqetësohen pse Presidenti angazhohet për të parandaluar raste të tilla! Shqetësohen se Presidenti denoncoi mosveprimin e institucioneve të Prokurorisë për çështjen e Elbasanit? Po të kishte vepruar prokuroria, nuk do të kishte ndodhur ajo ngjarje e Elbasanit!
Të gjithë e dimë se cili i bëri ngjarjet e Fierit. Le të vijmë te ngjarja e Fierit! Se të gjithë e dimë se është bërë çështje e madhe kjo historia e mprehjes së sfurqeve! Ju e dini shumë mirë që atë ditë ka pasur një konflikt paradite, dhe konflikti është shkaktuar për fat të keq nga Bashkia e Fierit që nuk ka respektuar rregullat zgjedhore. Kur në mënyrë të dhunshme kanë dashur të heqin posterat e LSI-së në zyrën që ishte marrë, sipas ligjit, për arsye sepse në atë shesh do të zhvillohej një miting i Partisë Socialiste, pasdite” – tha Meta.