Ilir Meta drejt shpalljes non grata? 7 mesazhet e koduara që paralajmërojnë fatin e Berishës

Nga Adriatik Doçi

Presidenti Ilir Meta humbi qetësinë mbrëmë në televizionin e familjes Berisha kur e pyeten mbi mundësinë e shpalljes së tij non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas shkarkimit të mundshëm nga Gjykata Kushtetuese. Ilir Meta shpërtheu në akuza ndaj ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim dhe kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, duke nënkuptuar një komplot kundër tij në Tiranë, për t’i rezervuar fatin e Sali Berishës. Duket se Ilir Meta e ka gjetur që tani alibinë mbrojtëse nëse Departamenti Amerikan i Shtetit e klasifikon në listën e zezë, ku kanë përfshirë që në 19 maj 2021 aleatin e tij Sali Berisha. Po sa gjasa ka që Ilir Meta të shpallet vërtetë non grata pas shkarkimit të mundshëm ose përfundimit të mandatit si President?! Gjatë muajve të fundit, ka pasur disa mesazhe të koduara, sinjale dhe lëvizje, të cilat paralajmërojnë një goditje të mundshme nga Uashingtoni ndaj Ilir Metës.

1. DASH flet për një aleat të korruptuar të Berishës

Departamenti Amerikan i Shtetit, në njoftimin e datës 19 maj 2021 për shpalljen non grata të Sali Berishës dhe familjes së tij, flet për aleatë të përfshirë në korrupsion të Sali Berishës, të cilët ky i fundit i ka mbrojtur dhe është gati t’i mbrojë sërish nga ndëshkimi ligjor. Sipas DASH, Berisha “është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundër korrupsionit dhe masave të llogaridhënies”.

Sali Berisha dy aleatë kryesorë ka pasur gjatë ushtrimit të pushtetit 2005-2013, kohë gjatë të cilës DASH thotë se është përfshirë në korrupsion madhor. Ata janë Ilir Meta dhe Fatmir Mediu. Berisha është angazhuar për t’i shpëtuar që të dy nga ndëshkimi i drejtësisë. Por, Berisha u ekspozua fort në janar të vitit 2012, duke u dhënë një mesazh anëtarëve të Gjykatës së Lartë, që të mos dënonin Ilir Metën, për të cilin prokuroria kërkonte dy vite burg për korrupsion.

2.Paralajmërimi i Escobar: Do të shpallim të tjerë “non grata”

Një javë më parë, Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar paralajmëroi shpalljen e personave të tjerë non grata në rajon dhe në Shqipëri.

“E kam thënë se nuk më pëlqen të flas për sanksionet në përgjithësi, për shumë arsye, por kryesisht për faktin se nuk është kjo mënyra se si angazhohen Shtetet e Bashkuara në rajon, veçanërisht me Shqipërinë. Kemi aq shumë rrugë pozitive angazhimi dhe do të vazhdojmë t’i përdorim ato. Megjithatë, do të ketë përcaktime të tjera në rajon”, tha Escobar.

3.Meta u shkarkua nga Kuvendi edhe për sulm ndaj SHBA-ve

Në 9 qershor të 2021, Kuvendi i Shqipërisë shkarkoi Ilir Metën si President jo vetëm për shkeljen e 22 neneve të Kushtetutës, por edhe për provokimin e cenimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Raporti për shkarkimin e Metës analizonte akuzat e tij të rënda natën e 23 prillit 2021, në televizionin e Familjes Berisha, në adresë të SHBA-ve dhe sidomos ambasadores Yuri Kim. Ndër të tjera, Meta deklaroi se do të dilte tek Mali me Gropa, me qëllim që të amerikanët ta goditnin me raketë, një deklaratë kjo e paprecedentë dhe e paimagjinueshme.

4.SHBA-të akuzuan Ilir Metën për nxitje dhune

Në 23 prill 2021, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, akuzoi Ilir Metën për nxitje dhune dhe kërcënim të qytetarëve.

“Është e papranueshme për këdo që të kërcënojë se qytetarët do të marrin “sfurqet” në 25 Prill ose nëse nuk u pëlqen rezultati i zgjedhjeve. Këto kërcënime meritojnë dënim. Ata që nxisin dhunë do të mbajnë përgjegjësi për rezultatet e fjalëve dhe veprimeve të tyre. Ndal”, ishte mesazhi i Kim.

Ambasada amerikane në Tiranë raporton në DASH për zhvillimet në Shqipëri. Nuk ka dyshim se sjellja e Metës para zgjedhjeve është raportuar me hollësi në DASH.

5.“Marrëveshje të fshehtë për të vrarë reformën”

Reforma në drejtësi besohet se është molla e sherrit mes Ilir Metës dhe Perëndimit. Në maj të vitit 2020, Ilir Meta paraqiti një platformë me 14 pika për ndryshimin e Kushtetutës dhe të reformës në drejtësi. Platforma solli një reagim të fortë të ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

“Shpresoj që të mos ketë një marrëveshje të fshehtë për të vrarë Reformën në Drejtësi. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe jo e përkryer, por është e nevojshme, është duke bërë përparim dhe duhet të vijojë”, shkruante Kim.

6.Presidenti i izoluar nga SHBA-BE prej 3 vitesh

Përfaqësuesit e lartë të SHBA-BE kanë shmangur takimet me Ilir Metën që nga viti 2018, kur Presidenti u bashkuar zyrtarisht në një front me Sali Berishën kundër reformës në drejtësi. Në shtator të vitit 2019, drejtori për Evropën Qendrore e Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Kostelancik, zhvilloi një vizitë në Tiranë, ndërsa përjashtoi presidentin Ilir Meta nga axhenda e takimeve. Në 30 qershor 2021, në Tiranë zbarkoi për një vizitë disaorëshe Ndihmës Sekretari Amerikan për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Philip T. Reeker.

Zyrtari i lartë amerikan takoi kryeministrin Rama dhe kryetarin e opozitës, Lulzim Bashën, ndërsa shmangu Ilir Metën. Në 9 dhjetor 2021, zhvilloi një vizitë e në Tiranë dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rajonin e Ballkanit, Gabriel Escobar. Jo rastësisht Presidenti Ilir Meta u përjashtuar nga axhenda e takimeve të zyrtarit të lartë amerikan. Ambasadorët e SHBA-BE në Tiranë kanë evituar gjithashtu takimet me Ilir Metën.

7.Ilir Meta po përgatitet për një goditje nga SHBA

Ilir Meta po përgatitet për një kualifikim të mundshëm nga SHBA si person non grata. I pyetur mbrëmë për mesazhet për mundësinë e shpalljes së tij non grata, Meta nisi të identifikojë ‘fajtorët’ në Tiranë.

“Nëse ka ndonjë palo-ambasadë apo palo-shtet që ka zgjedhur ndonjë palo-politikan për t’i dërguar mesazh Ilir Metës, mua këtu më kanë patur dhe këtu do të më kenë. Më vjen keq për ata amerikanë të korruptuar që komprometojnë vlerat e SHBA-ve. Kur Ilir Meta ka dalë në lëvizjen e Dhjetorit, nuk ka patur ambasadë amerikane në Shqipëri.

Unë kam shumë respekt për ambasadat, por kush ka mesazh për Ilir Metën, le të ma thotë direkt, pasi unë nuk do të hezitoj t’ja them kujtdo ashtu siç e meriton. Të marr kryememexhiun e Shqipërisë si zëdhënës serioz, mua më vjen keq për çdo ambasadë që do katandisej në atë nivel”, tha Meta.

Kreu i shtetit, edhe shpalljen non grata të aleatit të tij, Sali Berisha, e ka lexuar si një komplot të Tiranës.

“Si President i Republikës së Shqipërisë ndjej përgjegjësinë e lartë të ndaj me Ju vlerësimin tim lidhur me “fletërrufenë” e porositur nga regjimi i kleptokracisë në Tiranë kundër z. Sali Berisha, Presidentit të parë demokratik të vendit”, tha Meta.(Shqiptarja.com)

Author: morevesh