Ka përfunduar takimi dhe tashmë anëtarët e PD kanë filluar të shpërndahen ndërsa më herët janë shpërndarë edhe mbështetësit e grupit të Rithemelimit pasi kanë lëshuar disa fyerje drejt kryedemokratit në momentin që ky i fundit mbërriti në ambientet e njësisë nr.7.
Ndaj Bashës u hodhën fyerje të rënda nga ana e protestuesve për të treguar qartë frustrimin e tyre. “Ik, ik o kriminel, o legen, o njeri i poshtër me dy fytyra”– ishin disa prej fyerjeve të lëshuara drejt tij.
Një prej themeluesve të PD, Fatmir Merkoçi ka kërkuar të ishte i pranishëm në takim, por nuk është lejuar nga deputeti, Lefter Gështenja me pretekstin se ishte i padëshirueshëm. Gjatë një prononcimi për mediat, Merkoçi tha se kjo ishte një shfaqje nga ana e Bashës për të hedhur hi syve të demokratëve duke kërkuar të paraqitet sikur po kryen takime.
Fatmir Merkoçi: Ky nuk është një takim i bërë nga Basha, por një shfaqje për të hedhur hi syve duke thënë se po bën takime me demokratët. Basha këtu ka marrë vota kur ka qenë deputet dhe ky njeri pa pikën e turpit deklaron se kemi takim vetëm me njerëzit tanë. Unë e kam nisur në dhjetor të 1990 ku kam pasur me vete vetëm 10 vetë dhe sot na del një misionar që ka mision prishjen dhe shkatërrimin e PD. Kur pengohem unë themeluesi i PD, imagjinoni se çfarë ndodh me njerëzit e tjerë. Tashmë ne quhemi të përjashtuar përderisa nuk pranohemi në takim.