Dy 17-vjeçarë shqiptarë u arrestuan mbrëmjen e së hënës në Milano me akuzën e grabitjes së rëndë, pasi kishin sulmuar dhe grabitur dy djem. Mediat italiane bëjnë me dije se dy shqiptarët ishin ndihmuar nga tre bashkëpunëtorë të tjerë që për momentin ndodhen në arrati.
Sipas hetimeve të karabinierëve, grabitja e parë e grupit u krye rreth orës 19:40 në via Lecco, në këndin me via Vittorio Veneto. Aty një 21-vjeçar u bllokua nga pesë personat, u dhunua, iu grabit një telefon, 155 euro, një karikues celulari dhe portofol.
Rreth dhjetë minuta pas goditjes së parë, vjen grabitja e dytë, por identike me të parën. Një 26-vjeçar përfundoi në guart e grupit, u mbështet pas një muri, u dhunua dhe iu morën një palë kufje.
Megjithatë, djali ka bërtitur dhe ka kërkuar ndihmë, duke tërhequr vëmendjen e disa kalimtarëve dhe duke i detyruar grabitësit të largohen.
Policia arriti të kapte dy 17-vjeçarët jo shumë larg. Njërit prej të dyve, i veshur me një xhaketë ngjyrë të kuqe të ndezur, iu gjet karikuesi dhe dokumentet e viktimës së parë. Bëhet e ditur se të dy shqiptarët janë njohur nga viktimat e sulmit dhe janë shoqëruar në burgun e të miturve të Torinos.