Ermal Mamaqi dhe Salsano Rrapi u akuzuan se ishin ‘përgjegjës’ për ndarjen e Triksës nga Donaldi. Gjithçka ndodhi kur ata ishin duke darkuar me banorët në BBV.
Një batutë e Ermalit ku u përmend Bora Zemani që vijoi më pas nga Salsano Rrapi për Beatrix Ramosaj bëri padashje bujë dhe u konsiderua madje si e qëllimshme. Pavarësisht se aktori theksoi se gjithçka ishte në kuadrin e shakasë, komentet negative nuk kanë munguar.
“Ka pasur shumë fëmijë që kanë qenë dashuruar me Donaldin dhe iu duk sikur e sulmova. Kjo është magjia e televizionit, është një hipnozë totale. Këta njerëz kanë qenë të hipnotizuar nga Big Brother. Ishte një batutë kaq e thjeshtë që unë ta kisha menduar se do të bëhej virale do ta bëja më të fortë. Do të kisha marrë ndonjë bluzë të Borës dhe do të thoja ‘I Love You Bora’. Kjo do të ishte skandal.“, tha Ermali.
Ermali theksoi se nuk ka kontaktuar fare me Beatrixën ndërsa shtoi se e ka kuptuar se ishte thjesht një shaka që nuk kishte të bënte me të.
“Trixën e njoh që kur ka qenë e vogël, njoh familjen, tezen. E di që është një vajzë shumë e mirë. Ndoshta ngaqë ka qenë gjithmonë në përkujdesin e familjes, ndonjëherë pëlqen që, në kuptimin e mirë të fjalës po e them, të llastohet. I shkon ky por besoj se e ka kuptuar se nuk ishte për të. Nuk kam folur me të por jam i sigurt se nuk ka asnjë kundërshti kundrejt meje.”, tha Ermali.
Ndërkaq, ai u ndal dhe te Bora teksa tha me humor se i është rritur shumë mendja pasi është përmendur kaq shumë kohët e fundit, sidomos në Big Brother. A do të jetë në sezonin e ri të serialit të tij? Ermali nuk la pas batutat as me këtë pyetje teksa tha se “i është rritur tangërlliku“.
“Kemi një problem, është një sfidë me Borën dhe uroj që të na shikojë dhe të ndryshojë mendimin e saj. Ngaqë u bë kjo zhurmë, i është rritur tangërlliku dhe ka një çmim të lartë. I bëj thirrje shikoje dhe njëherë ofertën se ndryshe folëm në fillim dhe ndryshe pas Big Brotherit. Borës i është rritur çmimi.”, tha ai.