Hyn në shtëpinë që po digjej dhe shpëton 1-vjeçarin/ Akti heroik i 22-vjeçarit shqiptar në Greqi!

Të dielën në mëngjes, shumë media greke i kanë kushtuar vëmendje aktit heroik të një të riu shqiptar që i ka shpëtuar jetën një fëmije në qendër të qytetit Lamia.



Bëhet fjalë për Dionis Abdiaj, lindur dhe rritur në këtë qytet, në një familje emigrantësh nga Shqipëria.

22-vjeçari shqiptar, që konsiderohet hero prej mediave, ka shpëtuar një djalë 1.5-vjeçar, kur flakët kanë përfshirë dhomën e tij në një shtëpi të vjetër ku jetonte një grua 57-vjeçare rome me tre nipërit e saj, 6 dhe 1.5 vjeç, pasi prindërit mungonin

Dionisi, ishte duke shkuar për në shtëpi kur dëgjoi thirrje për ndihmë dhe vrapoi për të parë se çfarë po ndodhte. Sapo ka mbërritur në vendngjarje ka parë shumë tym dhe një prej dhomave ishte rrethuar nga flakët. Jashtë saj, gjyshja me dy fëmijët më të mëdhenj si dhe fqinjët që thërrisnin për ndihmë ishin në panik.



22-vjeçari sapo ka dëgjuar njërin prej vëllezërve që duke qarë i tha se foshnja ishte brenda në shtëpi, pa u menduar dy herë, hoqi xhaketën dhe hyri në dhomën mes flakëve për të shpëtuar djalin e vogël.

“Fëmija po qante dhe me një zë që dridhej më tha se foshnja ishte në shtëpi. Menjëherë hodha xhaketën dhe i dhashë një goditje të fortë dritares së dhomës. Hyra brenda dhe mora foshnjën që ishte i rrethuar nga flakët. Gjithçka ndodhi kaq shpejt. Fatmirësisht fëmija shpëtoi dhe është mirë. Bëra atë që do të bënte çdo njeri nëse i rrezikohej jeta…”, ka deklaruar Dionis Abdiaj .

Pas një telefonate, zjarrfikësja e Lamisë ka shkuar në vendngjarje me dy automjete dhe pesë zjarrfikës të cilët kanë shuar zjarrin para se të përhapet në banesat e tjera.

Author: morevesh