I dhimshëm fati i 20-vjeçarit që humbi jetën në Velipojë, pas përplasjes me armë mes pronarëve Ferracaku dhe Gocaj.
20-vjeçari Myzerim Zeneli kishte vetëm një ditë që kishte shkuar të punonte si kamerier në hotelin e “Gocaj”.
Gazetarja Anila Prifti me anë të një postimi në rrjetet sociale zbulon se 20-vjeçari ishte jetim dhe se kishte shkuar të punonte për një të ardhme më të mirë. Gazetarja zbulon se të riut në xhep i janë gjetur vetëm 30 lekë.
Ndër të tjera ajo shkruan se Zeneli ishte i treti në radhë që ka humbur jetën pas përplasjes me armë mes vëllezërve Ferracaku dhe vëllezërve Gocaj.
Kujtojmë që nga ngjarja e rëndë kanë mbetur të vdekur Kujtim Ferracaku 59 vjeç, vëllezërit, Xhovani dhe Edmond Gocaj 25 dhe 38 vjeç dhe Myzerim Zeneli 20 vjeç.
Ndërsa të plagosur kanë mbetur Hasan Ferracaku 54 vjeç dhe Elmedin Tyli 17 vjeç, raportohet se 54 vjeçari është në gjendje kritike për jetën.
Postimi i plotë:
Dita e parë e punës iu bë e fundit e jetës;
viktima më e pafajshme e masakrës në Velipojë!
20 vjeçarit jetim në xhep iu gjetën vetëm 30 lekë
Anila Prifti
Myzerin Zenelin nuk e njihnin në Velipojë. Edhe ata që e punësuan një ditë më parë e thërrisnin, Jetim!
Nga Bahçallëku i Shkodrës 20 vjeçari me njohuri fillestari në kuzhinë, u shpërngul në hotelin e vëllezërve Gocaj. Do të punonte e mësonte! Do të shtrihej për të fjetur i fundit; pas pushuesve dhe pas pronarëve.
Zgjuar me ëndrrën e të riut; një ditë do të vijë edhe për të; ishte i pari që u buzëqeshi mysafirëve të natës.
Për Myzerinin, të cilit as emrin shkurt nuk ia mësuam, ishte fundi i ditës së parë në punë. Dhe ashtu siç e do çdo lloj zakoni në moshë dhe në vendin tij, duhej t’iu buzëqeshte të gjithëve.
Akoma nuk e kishte mësuar se burrat e natës dikur ishin miq me të zotët e lokalit ku u punësua. As i njohu, por nxitoi ty tregonte të ‘vetëve’: Po vijnë njerëz!
Ishin vëllezërit Ferracaku, pas shpinës së tyre, nipi i vogël. Edhe ai si Myzerini pranë ‘të vetëve” për një të ardhme.
Ferracakë e Gocaj, burra e pronarë përballë njeri tjetrit po luftonin njeri-tjetrin. Myzerini ishte aty, nuk fliste! S’duhej shumë kohë, armët krisën. Myzerini duket se u largua nga kjo botë i treti në radhë. Trupi i tij u shemb në rërë, pas trupave të tjerë të gjakosur.
Në xhep iu gjetën vetëm 30 lekë! Ishte dita e parë e punës dhe dita e fundit e jetës!
Unë po shkruaj për të, kështu nxitimthi, që ai të mos fshihet mes numrit të vdekjes, po nuk i njoh as fytyrën dhe as i di shtëpinë. Tani i mësova vetëm adresën e re. Një ditë do ti trokas në portën e mermertë për ta pyetur: Cila ishte ëndrra?