Historia e parë në programin “Ka një mesazh për ty”, në këtë sezon të ri të “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, është ajo e Edlirës. Pas divorcit nga bashkëshorti, ajo është braktisur nga gjithë familja e saj, nëna, motrat madje dhe nga djali 14-vjeçar.
Edlira jeton dhe punon në Itali prej shumë vitesh. Aty u njoh me ish-bashkëshortin në vitin 2001, me të cilin u martua dhe krijuan një familje. Më pas sollën në jetë djalin e tyre. Për të mbajtur familjen, ajo punonte pothuajse gjithë ditën, ndërsa bashkëshorti qëndronte në shtëpi duke rritur djalin. Gjërat u përkeqësuan në Maj të vitit 2017. Edlira tregon se një ditë, teksa punonte si kamariere në një piceri, u ndje keq dhe në urgjencën e spitalit e shoqëroi kolegu i saj. Bashkëshorti nuk e pëlqeu këtë veprim dhe akuzoi Edlirën për tradhti.
Edlira: “Më akuzoi për tradhti, gjë që nuk ishte e vërtetë dhe e dinte shumë mirë. Thjesht për një fotografi, thjesht për një shoqërim në urgjencë kur unë ndihesha keq. Unë jam ndjerë keq një natë në vendin e punës ku unë punoj tani aktualisht, në një piceri si kamariere, jam ndier keq një natë dhe ka qenë në fund të Majit 2017. Kam tentuar ta marr në telefon ish-bashkëshortin tim, nuk më është përgjigjur. Edhe unë jam shoqëruar nga kolegu i punës në urgjencë. Dhe për këtë kjo ishte tradhti. Aty filluan problemet”.
Ardit Gjebrea: Ti ke dhe një djalë. Sa vjeç është?
Edlira: “14 vjeç pothuajse”.
Ardit Gjebrea: Ke marrëdhënie me të?
Edlira: “Tani për tani jo. Kam rreth 1 muaj që i kam shkëputur marrëdhëniet dhe me tim bir. Isha e detyruar të shkëpusja marrëdhëniet dhe me tim bir, sepse në një vit e gjysmë kanë ndodhur shumë gjëra”.
Për shkak të divorcit me bashkëshortin, Edlira tregon se mamaja e saj e ka braktisur dhe nuk e beson. Sipas saj, e ëma mban lidhje me ish-bashkëshortin e Edlirës, ndërsa vajzën e saj refuzon që ta dëgjojë dhe ta takojë. Me lot në sy, tashmë edhe Edlira flet në kohën e shkuar për marrëdhënien me të ëmën.
Edlira: “Në muaji Maj 2017, unë kam ardhur në Shqipëri për të folur me nënë time dhe me motrat e mia (5 motra) për atë çfarë po kaloja, por jo se kisha vendosur për të lënë bashkëshortin. Doja vetëm që gjërat ata t’i dinin. Doja vetëm të kisha një mbështetje. Atë mbështetje që s’e kam pasur kurrë. Për momentin mamaja ime ishte e qetë. Edhe motrat e mia ishin të qeta. Kur ndodhi episodi i urgjencës, çdo gjë u përmbys. Sepse ishte fjala ime kundër fjalës së atij. Për atë kjo ishte tradhti. Ndërkohë ish-bashkëshorti komunikonte me nënën time dhe me motrat e mia, kurse me mua nuk fliste asnjë njeri. Mua më veçuan. Nëna besoi që kjo ishte tradhti. Kjo është e keqja. Si mund të besosh? Nëna dhe motrat e mia më mbyllën derën, të gjitha përveç njërës”.
Edlira thotë se ish-bashkëshorti dhe familja e saj janë e shkuara, ndërsa veçon djalin e saj për të cilin shprehet se i ka lënë kohë që të reflektojë, si dhe njërën prej motrave, e cila është e vetmja që i gjendet pranë në një moment kaq të vështirë.
Edlira: “Im bir është, por i kam lënë kohë, jam larguar prej tij në një farë mënyre, të dy bashkë, në mënyrë që t’i japim kohë njëri-tjetrit për të arritur të kuptojmë dashurinë nënë e bir. Im bir më tha: “Nuk arrita kurrë të ndjeja dashuri për ty”. Është 14 vjeç, por është shumë inteligjent. “Nuk arrita të ndjeja dashuri për ty sepse më le të vogël ti. Nuk arrita të ndjej dashuri për ty sepse ishe gjithmonë në punë, ishe gjithmonë jashtë ambientit familjar”. Mbase unë nuk dita të bëja nënën, por tim biri askush nuk i shpjegoi pse kjo nënë punonte kaq shumë, pse e la këtë fëmijë kaq të vogël me prindërit. Unë nuk e braktisa kurrë tim bir, sepse unë për atë fëmijë u sakrifikova. E për atë fëmijë po sakrifikohem akoma. Im bir është jeta ime, arsyeja e jetës sime. Në qoftë se unë tani jam vënë mënjanë, e kam bërë për të mirën e tim biri. Që ai të arrijë të kuptojë çfarë po ndodh në realitet, jo çfarë i thonë“. /tvklan.al./panoram.com.al