Policia e Tiranës është duke analizuar me qindra orë filmime të kamera të sigurisë, me shpresën për të arritur tek autorët e sulmit ndaj Top Channel. Në kushtet kur hetuesit nuk kanë arritur të zbulojnë gjurmë të largimit të tyre pas djegies së makinës pranë Shkëmbit të Kavajës, ata janë përqendruar tek një tjetër drejtim.
Sipas burimeve, mësohet se po verifikohen pamjet e orëve të fundit para atentatit, për të zbuluar vendin ku ka qëndruar makina e parkuar. Kjo është një tjetër mundësi që po shikohet nga policia, krahas provave që u gjetën në vendin e ngjarjes por edhe në automjetin e djegur pranë Përroit të Agait.
Nga verifikimet që janë mundur të kryhen, policia ka arritur të sigurojë gjurmë të zbehta gjenetike që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve. Këto të dhëna po ekzaminohen në rast se mund të arrihet tek autorët e kësaj ngjarjeje. Në sulmin me armë ndaj Top Channel, mbeti i vrarë punonjësi i sigurisë, Pal Kola. Ngjarja po hetohet për veprën penale të vrasjes në rrethana cilësuese në dëm të 60-vjeçarit dhe duke rrezikuar jetën e shumë të tjerëve.
Për identifikimin e autorëve policia ka vënë në dispozicion shpërblimin prej 100 mijë eurosh. Deri më tani nuk ka qytetarë që kanë telefonuar për informacione të vlefshme.