Vizitën në Tiranë të të dërguarit të Posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, avokat Spartak Ngjela e komenton si një shtysë e re e luftës anti-korrupsion në vend. “Një motiv të madh, vizita e tij është anti-korrpusioni. Është kurorëzimi tani, a do të fillojë goditja? Mendoj që po”.
Ardhja e zyrtarit të lartë të SHBA, sipas Ngjelës, lidhet dhe me përmbushjen e objektivit për të cilin u ngritën organet e reja të drejtësisë. “Reforma në drejtësi siç duket do të jetë në hapat e konkretizimit të goditjes së madhe. Këtë tregon vizita e Eskobarit, anti-korrupsioni, nuk është vizitë politike. Korrupsioni shqiptar është i lidhur me krimin” tha ai.
Sipas Ngjelës, fatin e ish-kryeministrit Berisha, i shpallur “non grata” do e kenë dhe politikanë të tjerë. “Nuk është vetëm Saliu, këta janë një plejade e madhe të korruptuarish”. Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike do të jetë në Tiranë të enjten dhe do të takohet me kryeministrin Rama dhe kryetarin e opozitës, Lulzim Basha.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi në një intervistë për ‘Neës24’ se zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar vjen në Tiranë me sinjale të qarta për Berishën.
“E para e punës, nuk ka 2 por ka një kuvend dhe ai është më 18 dhjetor, është kuvendi i Partisë Demokratike. Ngjarjet e tjera janë pa diskutim, zhvillime të cilat kanë rrjedhur nga shpallja non-grata e zotit Berisha dhe për këtë qëndrimet Amerikane janë të qarta”, tha Basha.
Uroj që të prevalojë sado pak gjakftohtësia, uroj të kuptoj që është kthyer në një tub oksigjeni për këtë regjim, uroj ta kuptojë që është kthyer në një barrë të pamerituar për demokratët dhe Partinë Demokratike teksa ne kemi mobilizuar të gjitha energjitë tona në përballjen me regjimin me një agjendë të qartë politike, por në çdo rast siç ju thashë Partia Demokratike dhe unë jemi të përgatitur për çdo situatë”, përfundoi Basha.