Heqja e barrierës shënoi hapjen e rrugës së Arbrit, një ëndërr shekullore e cila sot është një realitet i prekshëm dhe premtim i mbajtur nga qeveria e Edi Ramës.
Ministria Belinda Ballaku e cila ka udhëhequr dhe mbikëqyrur hap pas hapi ndërtimi e kësaj rruge dha detajet e lëvizjes.
Dibranët u vunë në garë me njëri tjetrin se kush do të ishte makina e parë për të kaluar.
Kryeministri Edi Rama nuk bëri asnjë koment por gëzimin për fitimin e bastit të tij personal për ndërtimin e rrugës e shprehu duke pozuar me një grup fëmijësh.
Festës nuk kishte se si mos ti mungonte muzika dhe vallet dibrane.
Kjo rrugë me dy korsi është e gjatë 74 kilometra dhe e projektuar për një shpejtësi lëvizje 80km në orë. Kalon në 4 bashki përmes 4 urave dhe 7 tuneleve të ndërtuara prej kompanisë Gjoka. Pjesa fundore e rrugës është Bllata në kufi me Maqedoninë e Veriut.
Kjo rrugë, sipas Ramës nga 4 orë që bëhej më parë, tashmë do të zgjasë vetëm 47 minuta.
“Hapet për qarkullim Rruga e Arbërit, *provizorisht kalohet me bajpas në Tunelin e Murrizit, ku për shkak të formacioneve gjeologjike komplekse, puna ka ecur më ngadalë dhe përfundon në pranverë, kur rruga do të bëhet për vetëm 47 minuta, nga 1 orë e 20 minuta që bëhet sot ose nga 4 orë që bëhej deri dje”, shkruan kryeministri.