Hakerët kanë sulmuar sistemet e qeverisë amerikane. Presidenti Trump hesht për ditë me radhë. Tani ai kundërshton ministrin e tij të Jashtëm, i cili dyshon se hakerat vijnë nga Moska, shkruan Deutsche Welle.
Presidenti i SHBA-së në largim Donald Trump, ndryshe nga Sekretari i tij i Shtetit Mike Pompeo, nuk e sheh domosdoshmërisht Rusinë prapa sulmit kibernetik në shkallë të gjerë ndaj institucioneve të qeverisë amerikane. Rusia dyshohet gjithmonë nëse diçka ndodh, shkroi Trump në Twitter. Mund të jetë edhe Kina, por ky opsion nuk po diskutohet “për arsye kryesisht financiare”.
Pompeo më parë ka fajësuar Rusinë për sulmin masiv kibernetik. Tani mund të thuhet “mjaft qartë” se rusët ishin prapa sulmit, tha Pompeo. Moska menjëherë hodhi poshtë akuzat. Kremlini tha se nuk kishte asnjë lidhje me sulmin e hakerëve.
Hakerët tregojnë “durim dhe mjeshtëri”
Agjencia amerikane për sigurinë kibernetike dhe të infrastrukturës (Cisa) e ka klasifikuar sulmin e hakerëve si një “rrezik serioz” për qeverinë federale në Uashington, për shtetet dhe bashkitë si dhe për të gjithë sektorin privat. Në një paralajmërim, ajo njoftoi se largimi i sulmuesit nga sistemet e prekura do të ishte “shumë kompleks”. Sulmi kibernetik po vazhdon të paktën prej marsit. Hakerët kanë treguar “durim, siguri operacionale dhe mjeshtëri komplekse”.
Trump ka heshtur me ditë të tëra për sulmin e piratëve dhe nuk është prononcuar publikisht. Me tweetin e tij, ai mbron veten përpara Rusisë dhe papritmas – dhe pa ndonjë provë – futi Kinën në lojë, si aktorin e mundshëm të sulmit.
Bideni së shpejti merr pushtetin
Trump gjithashtu pretendon se sulmi u paraqit në “mediat gënjeshtare” shumë i madh sesa ishte në të vërtetë. “Më janë dhënë informacione të plota dhe gjithçka është nën kontroll të plotë,” shkruan ai. Trump është në detyrë vetëm edhe disa javë. Ai ende nuk e ka pranuar humbjen e tij në zgjedhjet presidenciale, ku fitoi demokrati Joe Biden. Trump vazhdon me pohimet se zgjedhjet janë manipuluar dhe vjedhur. Bideni merr pushtetin në janar.