Një grup kriminelësh në internet kanë vjedhur plane konfidenciale për produktet e ardhshme që kompania Apple kishte në plan të hidhte në treg. Grupi “Sodin”, që drejton “REvil”, thotë se i ka vjedhur planet nga Quanta Computer, një kompani me vendndodhje në Taivan, që merret me zhvilimin e laptopëve Apple.
Anëtarët e REvil – vjedhin të dhëna dhe shantazhojnë për publikimin apo keqpërdorimin e tyre, kundrejt një pagese. Thuhet se vlera që Apple do t’i duhet të paguajë hakerave shkon deri në $50 milionë.
Sodin, që ka vjedhur të dhëna si “skema inxhinierike të produkteve të ardhshme dhe aktuale”, kërcënon se do të shkojë më tej duke marrë të dhëna private, edhe më konfidenciale. Për të mbështetur pohimin e bërë, ata kanë postuar edhe një sërë projektesh të papublikuara të Apple, si skemat për iMac-et e reja.
Sipas një deklarate të postuar në faqen – të cilën ata e quajnë “Happy Blog” – Quanta refuzoi të paguante dëmshpërblimin, duke bërë që hakerat të fillojnë të kërcënojnë klientët e kompanisë.
Ata thanë se “do të lëshojnë çdo ditë dokumente të reja”, duke shtuar:
“Rekomandojmë që Apple t’i blejë përsëri të dhënat e disponueshme deri më 1 maj.”