Në majat e futbollit botëror ka pak femra, shumë më pak nga sa duhet, sidomos për sa i përket sektorit të klubeve për meshkuj. Ishte 12 shkurti i kaluar, në Abu Dhabi. Palmeiras dhe Chelsea do të takoheshin në finalen e Kupës së Botës për Klube.
Presidentja e re e Palmeiras përkoi me Marina Granovskaia, drejtore ekzekutive e klubit anglez. “Kam biseduar me të dhe mendoj se gratë janë të gatshme për gjëra të mëdha në futboll. Ne ramë dakord të flasim përsëri në një kontekst, në të cilin asnjëri prej nesh nuk humbet”, – shpjegoi Pereira atë ditë, kur një penallti e konvertuar nga Havertz në kohën shtesë e çoi titullin në Londër.
Granovskaia mbërriti në “Stamford Bridge” si krahu i djathtë i Roman Abramovich, me të cilin ajo tashmë punonte në kompaninë e naftës “Sibneft”. Edhe pse ajo ka kombësi kanadeze, ka lindur në Rusi, si manjati Abramovich. Pikërisht tani, pushtimi i Ukrainës nga rusët i ka vënë të dy në qendër të vëmendjes negative dhe klubin në shitje.
Marina u zhvendos nga Moska në Londër menjëherë pas blerjes së klubit nga bashkatdhetari i saj, në vitin 2003, dhe prej vitesh ka qenë përfaqësuese e drejtpërdrejtë e pronarit përpara bordit të drejtorëve.
Ajo, për shembull, është përgjegjëse për çdo negociatë (nënshkrime, rinovime…) me lojtarët. “Për të përmirësuar skuadrën, shkëmbej mendime me Cech dhe Marina”, – pranoi Thomas Tuchel, trajneri i bluve këto ditë, kur u dha lajmin për dorëheqjen e Abramovich.
“Ka evoluar, – shpjegon një drejtues i futbollit spanjoll, i mësuar të negociojë me Granovskaia. – Ajo ka kaluar nga asistentja e Roman në marrjen e përgjegjësive. Dhe e vërteta është se ka mësuar shumë. Ajo është e ftohtë dhe mosbesuese, por serioze. Nëse ajo jep fjalën, e përmbush atë”.
Leila Pereira ka vetëm dy muaj e gjysmë në pozicionin e saj. Juriste, biznesmene dhe pronare e “Crefisa”, një kompani krediti e themeluar në vitin 1964 dhe sot e shndërruar në bankë. Marrëdhënia e saj me Palmeiras u rrit pikërisht nga borxhi i marrë nga klubi në institucionin financiar.
Në dhjetor, pasi u bë kandidatja e vetme për presidencën, ajo mori shumicën dërrmuese të mbështetjes nga anëtarët (1897 vota nga gjithsej 2141 vota). “I mbrojtur” nga Jair Bolsonaro, presidenti kontrovers brazilian, klubi i Palmeiras (ka fituar, për shembull, dy Libertadores radhazi: 2020 dhe 2021), ka gjithashtu dy gra të tjera në drejtim: María Tereza Bellangero dhe Neive de Andrade, zv.presidente e parë dhe e dytë.