Grabitet me armë karburanti, 3 të rinjtë kërcënojnë dhe dhunojnë punonjësin

Tre të rinj, që lëviznin me motor elektrik, hynë në një pikë karburanti duke kërcënuar me armë dhe dhunuar punonjësin e biznesit.

Ngjarja ndodhi në Napoli, ndërkohë që kamerat e sigurisë kanë fiksuar të gjithë skenën.

Të rinjtë shihen sesi kërcënojnë dhe shtrijnë në tokë punonjësin e karburantit dhe më pas marrin nga aty para.

Pamjet janë publikuar nga këshilltari rajonal i Europa Verde Francesco Borrelli, i cili shprehet se kjo është një skenë rrëqethëse, ndërsa aludon se autorët mund të jenë në një moshë shumë të re.

“Skena rrëqethëse, edhe më të tmerrshme po të merret parasysh se akte të tilla kryhen nga të mitur”.

“Shpërthimi i dhunës tek të rinjtë është i pandalshëm, ata e mbajnë armën si lodër, kryejnë krime dhe vrasin njëri-tjetrin pa respektuar vlerën e jetës njerëzore”.

“E vetmja mënyrë për t’i dhënë fund këtij përshkallëzimi të dhunës dhe krimit”- theksoi Borrelli – “është të ndihet prezenca e fortë e shtetit. Ata që janë përgjegjës për këtë grabitje duhet të identifikohen absolutisht dhe të ndëshkohen ashpër sa më shpejt të jetë e mundur”./noa.al

Author: morevesh