Moment i veçantë nga Foltorja e radhës e ish-kryeministrit Sali Berisha me demokratët e Mirditës, ishte gruaja 63-vjeçare e cila mori fjalën në këtë takim.
Anëtare e PD prej vitit 1994, ajo tha se në referendumin e 18 dhjetorit kishte shkuar në Kurbin për të votuar shkarkimin e Lulzim Bashës. Duke iu drejtuar liderit historik të PD Sali Berisha, ajo tha se si shumë demokratë, e ka votuar në të kaluarën Lulzim Bashën prej ish-kryeministrit.
“Doktor Berisha, ti je magneti i tokës së Shqipërisë. Në radhë të parë të uroj mirseardhjen në zemër të Mirditës, në këtë popull mikpritës, autokton vëllazëror, ti e ke vlerësuar më shumë se unë. Jam gruaja e Gjon Markndoj që e ke njohur shumë mirë. Jam anëtare e Lidhjes Demokratike të Gruas që prej vitit 1994.
Shkova dhe votova në Kurbin kundër Lulzim Bashës me gjithë qejf. Pse? Ai vërtetë është simpatik, me të gjitha shkollat, por ne e votuam vetëm prej Sali Berishës. Ai nuk diti të mbledhë demokratët.
Mund të thonë se ç’është kjo plakë që u ngrit për të folur. Kur ka ardhur demokracia kam qenë 32 vjeçe. Jepini besën ktij burri malësor se nuk do t’ju zhgënjejë. Dua t’i uroj shëndet dhe jetë se çove prej gjumit të gjithë Shqipërinë”, tha ajo duke ngritur në këmbë të pranishmit në sallën e Pallatit të Kulturës të qytetit të Rrëshenit.