Ish-ministri Saimir Tahiri dhe ish-drejtori i Policisë së Vlorës Jaeld Çela, do të gjykohen më datë 20 dhjetor. Gjykata e Posaçme e Apelit ka njoftuar sot për seancën dhe trupën gjykuese që do të vendosë për ish-ministrin e Brendshëm.
Çështja do të shqyrtohet nga kryesuese gjyqtarja Daniela Shirka, anëtar – gjyqtari Engert Pëllumbi dhe anëtare – gjyqtarja Igerta Hysi.
Gjykata e Lartë vendosi rikthimin e çështjes për shqyrtim tek një trupë tjetër e Gjykatës së Posaçme, duke argumentuar se gjatë procesit kundër Saimir Tahirit ka pasur shkelje procedurale. Tashmë çështja e Tahirit do të rigjykohet dhe do të merret vendim përfundimtar.
Dënimi i fundit që mori Saimir Tahiri ishte me 5 vite burg, i konvertuar në 3.4 vite shërbim prove.
Njoftimi i Apelit të GJKKO-së:
Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, për çështjen në ngarkim të të pandehurve S.T. dhe J.Ç., e regjistruar pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më datë 24.11.2021, me nr. 47 regjistri themeltar, është planifikuar seanca gjyqësore në datë 20.12.2021, ora 09:00.
Pas plotësimit të trupit gjykues, ka rezultuar se çështja do të shqyrtohet nga kryesuese – gjyqtarja Daniela Shirka, anëtar – gjyqtari Engert Pëllumbi dhe anëtare – gjyqtarja Igerta Hysi.