Gjykata e Apelit në Serbi ka refuzuar ankesën e Kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafi ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë në Beograd, lidhur me padinë ndaj Ministrit të Brendshëm serb, Aleksander Vulin për gjuhë të urrejtjes dhe përdorimin e termit fyes për shqiptarët.
Vendimin e ka bërë publik Mustafi përmes një postimi në Facebook, ku shkruan se është hedhur poshtë padia e tij ndaj ministrit serb të Mbrojtjes.
Me këtë veprim sipas Ragmit, Gjykata e Apelit në Beograd ka legalizuar termin fyes për shqiptarët “šiptari”.
Por ai shton se betejën ligjore do ta vazhdojë edhe në Gjykatën Kushtetuese.
“Edhe Gjykata e Apelit legalizon termin fyes ‘šiptari’ dhe institucionalizon gjuhën e urrejtjes. Vazhdojmë në Gjykatën kushtetuese! Gjykata e Apelit ka ‘refuzuar ankesën si të pabazuar të paditësit dhe vërteton aktgjykimin e Gjykatës së Lartë në Beograd’, në padinë ndaj Ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, z.Aleksandër Vullin, për vërtetimin e qasjes diskriminuese dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve.”- shkruan Mustafi.
Lidhur me këtë Mustafi ka një thirrje për institucionet ndërkombëtare, që u kërkon të reagojnë për të parandaluar gjuhën e urrejtjes ndaj minoriteteve në Serbi.
“I bëj thirrje BE-së, OSBE-së dhe SHBA-së të reagojnë ndaj Beogradit zyrtar dhe ta parandalojnë gjuhën e urrejtjes kundër minoriteteve në Serbi, sepse lirimi i Ministrit Vulin nga akuzat e gjuhës së urrejtjes, intolerancës dhe diskriminimit, ‘legalizon’, diskriminimin, ksenofobinë dhe racizmin ndaj shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Serbisë e gjetkë.”– shkruan Mustafi.