GJUHA HERMAFRODITE E EVROPËS
(Dy mendime në lidhje me urimet e festave fetare)
Ndoshta një gjë Institucionet e Evropës mund të mësojnë nga shoqëritë plurale qindravjeçare si ajo shqiptare që nuk kanë komplekse të thonë “Gëzuar Krishtlindjen” e “Gëzuat Pashkët” apo “Gëzuar Bajramin” e “Gëzuat festën e Hashures”, duke i dhënë gjërave emrin e tyre.
Prirja për të qenë gjithpërshirës e të paanshëm duke fshehur apo mohuar, duke u sforcuar në gjetjen e një gjuhe “hermafrodite” pa identitet të caktuar, duke e detyruar edhe gjuhën që t’u përshtatet ideologjive gender, është në fakt zbehje e një shoqërie. Është një pretendim i nënvetëdijshëm se historia e njerëzimit deri më tani ka qenë gabim e se ajo nis tani me këto superstruktura (duke cituar Marksin) që duan të krijojnë edhe një supergjuhë e një superkuptimësi të jetës shoqërore e të dimensioneve antropologjike të personit njerëzor. Kjo i bën institucionet demokratike, institucione arrogante.
Edhe pse nuk besoj fort te protestat apo te kundërshtimet njëllojtë ideologjike, por te formimi i ndërgjegjeve dhe mendjeve të lira, të ndërrosh apo të fshehësh identitetin e disa realiteteve që kanë një origjinë shpirtërore, sikurse janë festat religjioze, e që i përkasin shoqërive në formësimin e tyre, me anë të vendimeve politike, është shkelje kryekëput e asaj lirie themelore që perëndimit evropian i ka kushtuar gjak.
Shpirti nuk kontrollohet nga ligjet pozitive sado të përsosura të jenë ato, madje duke cituar shën Palin germa e ligjit mund edhe të vrasë.
Shpresoj që Institucionet evropiane të kenë reflektuar e të reflektojnë rreth asaj çfarë po bëjnë në lidhje me këto tema e ndërkohë askush nuk na ndalon që njëri-tjetrit t’ia urojmë festat me emrin e tyre pa pritur rregulloret e Institucioneve. E duke “përmbysur” një thënie të Fishtës po e mbyll duke thënë: “Ne që shqiptarinë e kemi bashkë, ne festojmë Bajram e Pashkë!” domGjergji. /portalishqiptar.com