Dita e Verës është festa më popullore e mbarë shqiptarëve. Është një ditë që i bashkon të gjithë pa dallime shoqërore, fetare, race, bindje dhe origjine. Ka origjinë mjaft të lashtë, atëherë kur njerëzit i besonin perëndive shumë shekuj para se të lindëte krishtërimi. Diana Candeviensis ishte njëra prej tyre, ajo që simbolizonte ardhjen e pranverës, gjelbërimit mirësisë dhe begatisë. Ndaj adhurohej nga të gjithë. Kryeqendra ishte Çermenika e më vonë u bë Valmi, Elbasani i sotëm.
Sipas kalendarit Julian kremtohej më 1 mars dhe sipas kalendarit Gregorian, më 14 mars. Është një festë mbarëshqiptare, që kremtohet nga Veriu në Jug me rite që dallojnë secilën krahinë, por që kanë të njëjtën ide, adhurimin ndaj natyrës. Në kalendarin diellor iliro-shqiptar (dhe të disa popujve të tjerë), ka vetëm dy stinë, verë dhe dimër, dhe stinët nisin me ekuinokset në mars e shtator dhe arrijnë mesin me solsticet në qershor e dhjetor.