Nga Emilia Giudici*
Gënjeshtrat e fëmijëve janë të ndryshme sipas moshës. Një fëmijë dyvjeçar as që e kupton që po thotë diçka të gabuar, një fëmijë 5 vjeçar ngatërron realitetin me fantazinë, një në moshë shkollore mund të gënjejë që të bëjë të vuajë prindin dhe një përpara adoleshencës gënjen sepse është shumë në stres.
“E di mami, kur ti fle babai fillon të kërcejë i veshur me recipetat e tua”. Një frazë e tillë e thënë nga një fëmijë 4 vjeçar mund të të lërë pa fjalë. Këtë dëgjoi nga djali i saj Juliette Guilbert, gazetare e faqes amerikane parenting.com.
Pasi e vërtetoi me bashkëshortin se nuk ishte i vërtetë një episod i tillë e pasi qeshën të dy, vendosi të thellonte argumentin mbi gënjeshtrat e fëmijëve, pse i thonë dhe si duhet të reagojnë prindërit?
Michael Brody, neuropsikiatre e fëmijëve në SHBA sqaron se fëmija nuk ka asgjë që nuk shkon, thjesht ngatërron fantazinë me realitetin. Madje këto lloj gënjeshtrash janë një sinjal i mirë.
“Fëmijët me koeficient të lartë inteligjence kanë tendencën më shumë të tregojnë fakte jo të vërteta.”- sqaron Angela Crossman, docente e psikologjisë në kolegjin e drejtësisë kriminale “John Jay College” në New York.
Por përse fëmijët thonë gënjeshtra?
Natyrisht jo të gjitha gënjeshtrat janë për të qeshur dhe varet shumë nga mosha e fëmijës dhe tipi i gënjeshtrës. Por le të mësojmë si të ndërhyjmë.
Fëmijët dy deri në tre vjeç
Edhe fëmijët kaq të vegjël mund të thonë disa gënjeshtra p.sh që kanë ndotur veshjet ose kanë thyer një vazo. Janë gënjeshtra të thjeshta, shpesh për të mohuar që kanë bërë diçka.
Në këtë moshë nuk duhet t’u bërtasim sepse ata nuk e kuptojnë atë që kanë thënë ose ku kanë gabuar. Nëse një fëmijë i kësaj moshe i tërheq bishtin maces, duhet t’i tregojmë se edhe macja ndjen dhimbje. Kështu këshillon psikiatria Elizabeth Berger.
“Mos bëni luftë me fëmijën tuaj që t’u tregojë që ai e bëri gënjeshtrën. Madje më mirë është mos të kërkoni fajtorë por thjesht t’i bëni me dije se ju e morët vesh të vërtetën.”-shpjegon ajo. “Po e vutë një fëmijë nën akuzë, ka shumë mundësi të ju përgjigjet përsëri me një gënjeshtër të re.”
Fëmijët nga tre deri në pesë vjeç
Fëmijët e kësaj moshë kanë një raport më të lirë me realitetin.
Është mosha e mikut imagjinar, e zanave, e ylbereve që flasin. Tregohen gënjeshtra thjesht për lojë ose për të shprehur një dëshirë. Gënjeshtrat tregohen nga forca e jashtëzakonshme e imagjinatës. Por nëse një tregim i sajuar i fëmijës tuaj ju turbullon veçanërisht, shikojeni në një tjetër këndvështrim.
Kujtohuni se ajo që duket ekstravagante në sytë e të rriturve është thjesht një mënyrë për të përpunuar koncepte të reja.
Fëmijët në moshë shkollore
Një fëmijë që vjedh lodrën e së motrës, dhe e mohon këtë, jep sinjalin e një hapi zhvillimi: aftësinë për të mashtruar.
“Këto gënjeshtra tregojnë ndërgjegjësim social dhe ndjeshmëri”, – thotë Crossman. Shpesh përdoren për të evituar që të shkelen ndjenjat e dikujt. Shpesh në këtë moshë fëmijët thonë gënjeshtra jo aq të pafajshme dhe e bëjnë për motive të kuptueshme: të mos zhgënjejnë prindërit, të mos dënohen ose të mos jenë nën presion. Përpara se ti dënoni për këto gënjeshtra, përpiquni të kuptoni se çfarë i shtyu ta bëjnë këtë.
Preadoleshentët
Një fëmijë i kësaj moshë nuk do ju tregojë më ato që ju tregonte më parë me kënaqësi. Këto sekrete të reja nuk janë mungesë ndershmërie por tregon rritjen dhe pjekurinë e fëmijës. “Fëmijët që ju tregojnë çdo gjë nënave në moshën 13 vjeç, nuk po rriten.”- shpjegon doktor Brody.
Por ka fëmijë që gënjejnë në mënyrë kronike, janë ata që mendojnë se janë të pazotë të menaxhojnë situatat ndaj shtyhen të gënjejnë. Është simptomë e një fëmije në stres por edhe e një fëmijë me taktika dhe inteligjent. Mënyra më e mirë për ta edukuar është të japësh shembullin si prind e ta bindësh që më vonë, me gënjeshtra, do të humbasë besueshmërinë në marrëdhëniet e tij.
*përkthyer nga parenting.com