Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka reaguar pas takimit në presidencë mes kreut të Shtetit Ilir Meta dhe përfaqësuesit të maxhorancës Taulant Balla në lidhje me caktimin e një date për zgjedhjet e pjesshme vendore.
Bardhi shprehet se nuk është aspak i habitur pasi sipas tij konsultimet mes Trekëndëshit të Bermudës ndodhin çdo ditë edhe pa prezencën e kamerave. “Asnjë habi nga qëndrimi i sotëm i Ilir Metës! Konsultimet mes trekëndëshit të Bermudës ndodhin çdo ditë, para dhe pas kamerave. Sot ishte teatri i rradhës para kamerave”, shkruan Bardhi.
Pas takimit Meta tha se s’ka pasur ftesë zyrtare për asnjë parti, por takimin me Ballën tha se ishte një kërkesë informale për një konsultë. Sikurse u shpreh dhe Meta, shqetësimi i këtij të fundit ka qenë bojkotimi i mundshëm i zgjedhjeve të pjesshme nga ana e shumicës parlamentare. Presidenti ka bërë me dije se nuk do të konsultohet me partitë e tjera politike për datën në zgjedhjet e pjesshme lokale.