Vetë pak ditë më parë Rusia paralajmëroi se, nëse Finlanda apo Suedia do kërkojnë anëtarësim në NATO mund të kenë fatin e Ukrainës. Por çfarë ndodhi? Një sondazh i “Yle” ka dalë në përfundimin se 53% e njerëzve në Finlandë do të mbështesin bashkimin në NATO. 28% kundërshtuan në sondazh, ndërsa 19% thanë se nuk ishin të sigurt. Taloustutkimus kreu sondazhin javën e kaluar, pasi Ukraina u sulmua nga forcat rus, ndërsa Juho Rahkonen, drejtori i kërkimit të sondazhit, tha se e përshkroi ndryshimin në opinionin publik si radikal dhe historik.
“Në thelb, përqindjet e atyre që janë në favor të anëtarësimit në NATO dhe atyre kundër kanë ndryshuar,”-tha Rahkonen. Po ashtu, pushtimi i Rusisë ka rritur gjithashtu mbështetjen për anëtarësimin në NATO edhe në Suedi, me 41% të të anketuarve që votojnë “pro”. Nga i njëjti sondazh është dalë në përfundimin se nëse Suedia do të aplikonte për t’u bashkuar me aleancën, mbështetja nga finlandezër do të shkonte në 66%, citon YLE.
Rusia paralajmëroi javën e kaluar se nëse secili prej vendeve do të kërkonte të bashkohej me aleancën, ata do të përballeshin me “pasoja të rënda ushtarako-politike” nga Moska zyrtare.
*6 shtete anëtare të BE-së nuk janë anëtarë të NATO-s, bëhet fjalë për: Austrinë, Qipron, Finlandën, Irlandën, Maltën dhe Suedinë.