(Fotolajm) “Nuk kemi bërë çantë me flamurin shqiptar”/ LOUIS VUITTON përgënjeshtron Ramën

Zoom.al e denoncoi si gënjeshtër që ditën që Rama postoi me bujë se shtëpia e famshme e modës, Louis Vuitton kishte bërë një çantë me flamurin shqiptar. Redaksia jonë solli fakte se çanta ishte prodhim i një stilisti lokal francez. Sot portali faktoje.al sjell edhe një reagim të Louis Vuitton, që mohon të ketë prodhuar ndonjëherë çanta me flamurin shqiptar. Zoom.al po e boton të plotë shkrimin e këtij portali.



Në fillim të janarit 2023, kryeministri Rama bëri një postim që preku ndjenjat patriotike të të gjithë shqiptarëve, kur shpërndau foton e çantës me flamurin shqiptar, duke e servirur si prodhimin më të ri nga shtëpia prestigjoze e modës Louis Vuitton. Por përgjigjja që Faktoje mori pas një komunikimi me Louis Vuitton përgënjeshtron pretendimin e kryeministrit.

Patris Pustina

Në 7 janar 2023, kryeministri Edi Rama postoi në Facebook një çantë me motive të flamurit kombëtar shqiptar, me përshkrimin “Çanta e re e shtëpisë së madhe të modës Louis Vuitton”.

Postimi në Facebook i kryeministrit Rama

Ky postim i kryeminisrit, në ditët e para të janarit, u bë virale dhe u ripostua jo vetëm nga portalet, por edhe nga shumë ndjekës.

Për të verifikuar këtë pretendim, “Faktoje” iu drejtua me anë të postës elektronike shtëpisë së modës Louis Vuitton më 10 janar.



Në përgjigjen zyrtare, më 13 janar, një përfaqësuese e Louis Vuitton i shkruajti Faktojes duke saktësuar se “krijimi është nga një palë e pavarur dhe nuk është pjesë e katalogut” të tyre.

Përgjigjia e Louis Vuitton

“Ju lutem jini të informuar se produktet tona shiten ekskluzivisht në dyqanet Louis Vuitton, që janë në pronësi dhe me staf të Louis Vuitton, si dhe përmes faqes zyrtare online të Louis Vuitton. Blerja me anë të këtij rrjeti shpërndarës ekskluziv është mënyra e vetme që klientët të sigurohen se produkti i tyre është autentik. Ne nuk mund të komentojmë mbi apo garantojmë autenticitetin e produkteve të blera tjetërkund,” shpjegon më tej përgjigjia e shtëpisë së modës.

Një kërkim pak më i thelluar mbi këtë dizajn, zbulon se ai ekziston prej së paku 4 vitesh.



Në fakt, ajo ishte pjesë e një koleksioni të limituar të vitit 2018 nga marka JAY AHR e stilistit Jonathan Riss, që përfshin thuajse 130 flamuj nga shtete të ndryshme të botës. Çantat e këtij koleksioni janë çanta vintazh Louis Vuitton, të ripërdorura nga Jay Ahr.

Kështu, çanta e dizenjuar me flamurin shqiptarnë fjalë nuk është e re, ajo ka ekzistuar që në vitin 2018. Për më tepër, ajo nuk është hedhur në treg dhe nuk mban autorësinë e shtëpisë së modës Louis Vuitton, por është një ripunim i firmës JAY AHR mbi një çantë klasike LV.

Author: morevesh