Eventet që organizohen në Tiranë janë një mundësi e mirë për t’u ndeshur me personazhet e njohur. Si gjithmonë të kuruar deri në detaje, VIP-at tanë japin një shfaqje të vërtet. I tillë ka qenë edhe aktiviteti i organizuar nga FSHF, ku nuk kanë munguar emrat nga sporti, arti, kultura dhe politika.
Por ajo që ne na ra në sy ishte prania e shumë emrave të njohur vetëm. Disa nga bukuroshet e ekranit kishin zgjedhur të vinin vetëm në këtë festë, duke mos dashur të ekspozohen si çift përpara kamerave. Njëra prej tyre ishte Valbona Selimllari. Miss-i ikonik shfaqet gjatë gjithë kohës vetëm.
Ndonëse shumë e pranishme në aktivitetet e ndryshme që organizohen në vendin tonë, gjithmonë ajo është shfaqur e vetme. Të rralla kanë qenë rastet kur ajo ka zgjedhur të shoqërohet nga vajza e saj. Edhe këtë herë Valbona ishte e vetme, rrethuar me miq e shok të shumtë, por pa një shoqërues në krah. Një tjetër bukuroshe që duhet thënë është hermetike sa i përket jetës private ishte edhe Albana Osmani.
Prej vitesh ajo i mungon ekranit, por jo eventeve të ndryshme që organizohen. Vështirë se mund të gjejmë ndonjë rast kur Albanën e kemi parë të shoqërohet nga ndonjë mashkull në festat e ndryshme ku ka qenë e ftuar. E duket se ky rregull nuk ka ndryshuar ende për të, duke qenë se vijon të vijë e të largohet e vetme nga festat ku është e ftuar.
Gazetarja sportive, Eva Murati, ishte një ndër emrat që shkëlqeu në këtë mbrëmje. Gjithnjë me stil dhe sharmante, moderatorja u shfaq krejt e vetme. Që pas ndarjes së saj nga Genar Topalli, Eva nuk është parë në krah të asnjë mashkulli, duke bërë me dije se prioriteti i saj është karriera, ndaj edhe besojmë se shumë shpesh do ta shikojmë vetëm në aktivitetet e shumta ku ftohet.
Por edhe e dashura e re e Genar Topallit, preferon që lidhjen e re të dashurisë ta jetojë sa më larg vëmendjes mediatike. Kështu edhe pse prej pak kohësh në një raport të konsoliduar, Cindy Marina kishte zgjedhur që në këtë event të shfaqej e vetme. Gazetarja sportive i ka shumë të rralla raste kur merr me vete edhe partnerin e saj në festa dhe duket se ky nuk është rasti.