GREQI – Olis Thoma Prifti, 43-vjeç, me origjinë nga Dropulli, është një nga personat e arratisur nga burgu në Hania të Greqisë. Një tjetër nga të arratisurit është identifikuar me inicialet Aardian Meta., 32 vjeç nga Divjaka.
I treti njihet si D. F., 34 vjeç i dënuar për “trafik droge” ndërsa shqiptari i katërt raportohet se është një 29-vjeçar shqiptar i njohur me mbiemrin B… Ndërsa i arratisuri i 5-ë, është një pakistanez, i dënuar për vrasjen e tre personave.
Në mediat greke janë publikuar edhe fotot e shqiptarëve dhe pakistanezit që kanë mundur të sharrojnë hekurat e burgut dhe të arratisen.
Raportohet se ata kanë qenë duke u transferuar në një burg tjetër por kanë përfituar nga rasti dhe ia kanë mbathur. Të arrestuarit kishin mbërritur në Chania pas transferimit të tyre, me traget nga Pireu, mëngjesin e së shtunës, 5 shkurt. Katër shqiptarët dhe një pakistanez dyshohet se kanë hyrë në tualetin e qendrës së paraburgimit dhe pasi kanë prerë hekurat nga dritarja me një objekt të mprehtë, janë hedhur një nga një dhe kanë dalë në garazhin e nëndheshëm të Komisariatit të Policisë. Mungesa e të pestëve është vënë re nga punonjësi i policisë së turnit të mëngjesit në numërimin standard. Deri më tani policia ka mundur të sekuestrojë vetëm furgonin me të cilin dyshohet se u larguan 5 të arratisurit.