Florjan Binaj është një nga artistët shqiptarë që ka dalë të protestojë që ditën e parë kundër rritjes së çmimit të naftës. Ai reagon herë pas here për problemet sociale të vendit tonë.
Në rrjetet e tij sociale, Binaj u ka bërë thirrje ndjekësve të tij që të dalin të protestojnë. Duket se thirrjen e tij e kanë dëgjuar shumë, pasi qytetarët kanë dalë në masë për të protestuar kundër rritjes së çmimeve.
Edhe pse protestat kanë qenë mjaft paqësore, ka pasur edhe të arrestuar. Një ditë pas protestave masive në disa qytete policia ka vënë në pranga disa persona, ndërkohë që disa të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.
Kështu në Durrës janë arrestuar dy persona të cilët akuzohen si organizatorë të tubimit të mbajtur mbrëmjen e kaluar, mosbindje ndaj policisë dhe pengim të mjeteve të transportit. Ndërkohë nën hetim janë vënë 50 persona të cilët kanë qenë pjesëmarrës në protestë.
Në Shkodër ka 8 persona të vënë nën hetim të cilët akuzohen se kanë bllokuar rrugën dhe qarkullimin e automjeteve në sheshin Parrucë. Një person pjesëmarrës në këtë protestë është shpallur nën hetim nga blutë e Shkodrës.
Arrestime ka pasur edhe në Kukës, ku në pranga janë vënë 5 persona të cilët sipas policisë kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve në të dyja senset në rrugën e Kombit. Ndërkohë janë shpallur në kërkim 13 persona të tjerë.
Lidhur me këto arrestime ka reaguar aktori i humorit. Binaj ka bërë një postim në “Instastory” ku i kërkon policisë që të lërë të lirë protestuesit e arrestuar.
“Lironi protestuesit. Ata kanë dalë edhe për policët dhe familjet e tyre!”, shkruan Binaj në postimin e tij.