Robert Aliaj Dragot, komenton ngjarjet e fundit në Big Brother Vip Albania. Cili është opinioni i tij për lojën në BBV, personazhi më pragmatist aty, më kritiku, më i forti, më inteligjenti dhe kush mund të fitojë…
I ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte Robert Aliaj, artisti kontrovers që ka konkurent të birin, Kristin, në Big Brother Vip Albania.
”Ne kemi modele tallavaje që janë pasqyrë e kësaj shoqërie dhe që nuk thonë asgjë, nuk promovojnë djalin dhe vajzën e mençur, të talentuar pasi ekranet shqiptare janë futur në një vorbull antivlerash” e nis kështu intervistën artisti.
I pyetur nga moderatorja për fituesin e Big Brother Vip Kosova, Roberti tha: ”Figura që nuk përfaqësojnë asnjë vlerë për shoqërinë, promovohen në ekrane dhe janë antimodele për mendimin tim”. Sipas Robertit, ka një mungesë të theksuar modelesh sot më arsim, art, shkencë, mjekësi duke i lënë në hije këta njerëz që në fakt duhet të jenë lokomotiva e shoqërisë. “Ne jemi bullizues si popull karshi figurës së femrës, në sytë e miliona shqiptarëve e trajtojmë keq vajzën. Sipas mendimit tim, duhet të ndërhyjë një autoritet si AMA apo struktura të tjera që mos promovohet në media gjuha e urrejtjes apo antimodelet” vazhdoi Roberti.
I pyetur sesi e ka parë Kristin në Big Brother Vip Albania, ai tha: “Kristi është një djalë me kulturë, e kam parë të qetë dhe jo detyrimisht fituesi duhet të bërtasë apo të ofendojë, Kristi është larg vulgaritetit dhe mban një qetësi të adhurueshme, pa harruar logjikën e saktë që ka për situatat. Edhe pse Kristi ka kaluar shumë sulme, ka kaluar nominime, baltosje dhe situata të sikletshme prapë është i qetë dhe i fortë”. Sa i takon futjes së Sabianit, Roberti u shpreh se e pa të pavend si sjellje, pasi fëmijët kanë edukatën brenda nga prindërit, jo kontrollin e tyre.
”Publiku e pa mirë skenën e tualetit dhe nominimin nga “gracka” që iu bë Kristit, por edhe pse ishte i padrejtë, Kristi e përballoi më së miri atë moment” shtoi ai.
I pyetur nga moderatorja për personin më të fortë që mund t’a fitojë BBV, Roberti tha se sheh shumë të fortë Oltën dhe Luizin dhe se nuk duhet të kalojnë limitet njerëzore, pasi të dalësh në ekran nuk është shaka, por përgjegjësi, por sipas tij Luizi është më i forti si lojtar.
”Ne kemi nevojë që mos promovojmë lacat, por djemtë apo vajzat e mira si modele dhe fatkeqësisht në këto formate televizive këto kanë munguar” tha më pas Roberti.
Në fund të bisedës ai u ndal pak dhe tek e bija, Gala, e cila një ditë më parë kishte shfaqur në kinema një projekt të sajën, film me metrazh të shkurtër, që fliste për konceptin e turmës në shoqëri dhe sesi njeriu bën luftë për të ruajtur individualitetin në një botë kolektive.